Dëshmitari i 117-të i Prokurorisë në rastin më të madh të Gjykatës Speciale, eksperti Marek Gasior, ka dëshmuar lidhur me raportet e autopsisë për viktimat e vrasjes që përmenden në aktakuzën me të cilën po akuzohen ish-udhëheqësit e UÇK-së. Gasior foli për shkaqe të ndryshme të vdekjes, përfshirë ato që janë shkaktuar me armë zjarri.
Në gjykimin më të madh të Speciales të hënën ka dëshmuar eksperti mjekoligjor Marek Gasior.
Në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale, dëshmitari Gasior për njërën viktimë tha se pati brinjë të thyera përmes mjeteve të forta që ia shkaktuan vdekjen.
“Brinjët e thyera të cilat ia dëmtojnë indet e buta, do të thotë që këto vena dhe arterie kanë plasur dhe kanë shkaktuar gjakderdhje në zgavrën e gjoksit. Pra lëndimet e mëdha, brinjët e thyera shkaktojnë edhe dëmtime në mushkëri, në indet e mushkërive, dhe këto janë dy burime të gjakderdhjes që ne kemi vërejtur në rastin e pacientit, i cili kishte shumë brinjë të thyera, kishte gjithashtu edhe shpim të mushkërive”, tha Gasior.
Njëra prej viktimave, sipas dëshmitarit, është vrarë me kosë. Këtë veprim, sipas tij, duhet ta kenë bërë më shumë sesa një person, në bazë të lëndimit që ai e mori që qafë.
Ann Rowan, avokate e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e ka pyetur dëshmitarin se a është i sigurt përfundimi për shkakun e vdekjes së një personi nga plumbi në pjesën pelvike.
“Ju nuk mund ta thoni me siguri se ka pasur dëmtim të këtyre enëve të gjakut?” – pyeti Rowan.
“Sipas anatomisë së trupit të njeriut, në këtë pjesë ka enë gjaku, arterie e vena dhe një dëmtim i eshtrave në këtë vend të trupit mund të dëmtojë indet që ndodhen këtu, përfshirë enët e gjakut”, tha Gasior.
Dëshmitari tha se përfundimi logjik që nxirrej ishte se personi vdiq nga depërtimi i plumbit me armë zjarri, meqë pjesa ku u godit para vdekjes çon në gjakderdhje të mëdha.
“Për të qenë të qartë lidhur me dëshminë tuaj pa e parë anatominë apo diagramet. Ju po thoni se ky lëndim ka qenë pa dyshim fatal, pra po thoni me siguri që për shkak të këtij lëndimi ka vdekur personi? Po apo jo?” – pyeti Rowan.
“Një lëndim që dëmton indet e buta, përfshirë venat dhe arteriet që çojnë në gjakderdhje çojnë në vdekjen e një personi”, tha Gasior.
Gasior paraprakisht ka dëshmuar edhe te rasti ndaj Pjetër Shalës.
Pas tij dëshminë në Speciale e ka nisur ish-ushtari i UÇK-së, Naser Krasniqi.
