Arbëri

Gashi thotë se duhet një gjykatë ndërkombëtare për t’i dënuar krimet e luftës

Analisti Shkëlzen Gashi

Analisti politik, Shkëlzen Gashi, ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare ka gabuar me shtrimin e problematikave mes Kosovës dhe Serbisë në procesin dialogues, duke thënë se palët duhet t’i paraqesin të gjitha kërkesat dhe të diskutojnë.

 “Kam qenë kritik i negociatave si janë zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë prej pasluftës...Është shumë më mirë që palët t’i qesin krejt pikat për diskutim, secila. I qesin pikat, ulen dhe diskutojnë si po i zgjidhin. Si çështja për të zhdukurit, që tash e 25 vjet negociojmë por nuk zgjidhet. Nuk i diskutojmë hapur e sinqerisht”, ka deklaruar Gashi në podcastin “Rrjedha” në Kohavision.

Ai ka thënë të dielën se është dashur një gjykatë ndërkombëtare që do t’i ndiqte dhe dënonte krimet e kryera nga serbët dhe shqiptarët gjatë kohës së luftës.

“Serbia duhet ta pranojë hapur para qytetarëve të vet se ka vrarë shqiptarë dhe të japë llogari. Njësoj, për diku 500 që janë serbë dhe minoritete të tjera duhet të japim llogari. Nëse nuk dimë se janë kryer nga grupe, duhet të themi se nuk e dimë se ku janë. Njësoj si me kriminelët”, ka deklaruar Gashi.

Sipas analistit, Kosova dhe Serbia po arrestojnë dhe dënojnë persona të dyshuar për krime lufte, por palët s’po i besojnë njëra-tjetrës.

“Pardje, Gjykata në Serbi e dënoi me 6 vjet burgim për krime lufte Nezir Mehmetajn. Për këto 3-4 vjet ka persona të arrestuar në Kosovë për krime lufte. Në Kosovë po ndiqen apo edhe janë dënuar 7-8 persona për krime lufte, e pala serbe thotë se ata s’kanë qenë të përfshirë...Për këtë është dashur një gjykatë që do të gjykoheshin të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në shkelje të rregullave të së drejtës humanitare. Një gjykatë ndërkombëtare ku do të ndiqeshin, do të gjykoheshin e do të dënoheshin në mënyrë korrekte. Kur i dënojmë ne ata këtu për krime lufte, Serbia thotë s'kanë qenë të përfshirë në krime ose janë dënuar më shumë sesa është dashur. Njëjtë edhe në anën tjetër”, ka thënë ai.

Për procesin dialogues, Gashi u shpreh se pala serbe po shpërblehet, e Kosova po ndëshkohet.

“Kosovës po i vendosen sanksione...Fjalë të mira për neve, e fjalë të këqija për Serbinë, por në fund ne po e ‘hamë’ me ndëshkime, e Serbia ka investime dhe favorizime”.