Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Fatmir Gashi, ka treguar se pse është i papranueshëm një koalicion mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë të cilës ai i takon.
Gashi ka thënë se gjatë mandatit 4-vjeçar, Qeveria ka injoruar çdo parti politike, shoqatë biznesi e çdo diskutim publik me këdo.
“Në qoftë se në mandat katërvjeçar Qeveria injoron çdo parti politike, çdo shoqatë biznesi, çdo diskutim publik me këdo dhe qeverisë në mënyrë, e vetme, e ka gabim. Partitë opozitare nuk janë kundërshtarë të tij, nuk janë armiq, janë kundërshtarë të ideve dhe duhet t’i dëgjosh e të bashkëpunosh me ta për shumë çështje. Ka injoruar dhe ky injorim ndaj partive opozitare është ajo që i sjell partitë opozitare në marrjen e këtij vendimi”, ka thënë ai të mërkurën në KTV.
Gashi ka shtuar se deklaratat e tilla të kryeministrit Albin Kurti, si “do të plakeni në opozitë”, i detyron që të deklarojnë se nuk do të bëjnë koalicion me të.
“Kjo Kosovë ka nevojë për bashkërenditje të veprimeve bashkërisht të gjitha partitë, e jo të injorohet njëri-tjetri. Gjatë këtyre katër vjetëve e kanë treguar injorancën e fuqisë, injorancën e votës. Si në legjislativ, si në ekzekutiv apo gjyqësor”, ka thënë ai.
Gashi: AAK-ja planifikon ndërtim të termocentralit me resurs kryesor energjetik thëngjillin
Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Fatmir Gashi, është deklaruar të mërkurën në "Zgjedhjet në KOHË" në KTV rreth planit të kësaj partie për zbutjen e krizës energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentraleve.
Ai ka thënë se planifikojnë ta aktivizojnë termocentralin 1 dhe si resurs kryesor energjetik të përdoret thëngjilli, pasi sipas tij, “Kosova nuk ka resurse të tjera”.
Një tjetër veprim, sipas tij, do të ishte kyçja në gazsjellës.
“Ne sot jemi në një krizë energjetike, kjo nuk do të ndodhte nëse nuk do të kishim pasur krizë të politikave energjetike. Ne kemi bërë politika energjetike të krizës. Kur është krijuar ideja e termocentralit, është kryer e gjithë punë, do të duhej vetëm të fillonte, “Contour Globali” është mbyllur dhe nuk e kanë lënë të shkojë më tutje, ky ka qenë gabimi nr.1. Gabimi tjetër ka qenë mos-shkyçja e gazsjellësve. Ne kemi dy gazsjellës, atë amerikan nga Greqia dhe tjetri në Fier. Pra, dy gazsjellës i kemi te dera e shtëpisë e ne lëshojmë dorë, themi nuk duam gazsjellës”, ka thënë ai.
Gashi ka shtuar se për ta ndërtuar një termocentral nevojitet një mandat qeverisës.
“Për ta ndërtuar një termocentral na nevojiten tri vjet minimum. Aq nevojitet edhe për t’u kyçur në dy gazsjellësit. Do ta aktivizojmë termocentralin 1 dhe e kemi resursin kryesor energjetik thëngjillin, kemi reagime të rënda se nuk bën, ne atë resurs e kemi, ne ujëra nuk kemi, andaj duhet përdorur thëngjillin. Ky termocentral duhet të ketë kapacitet 500 MË, ashtu siç e ka pasur. Nuk do të marrim kredi nga askush. Ose do t’i japim koncesion sektorit privat që kush mundet ta ndërtojë, le ta bëjë, nëse nuk mundet askush atëherë do ta ndërtojmë ne vetvetiu prej mjeteve tona. Ne nuk kemi rrugë tjetër, neve na ka falur natyra thëngjillin, nuk mund të ikim prej tij, por jo të ndotim kështu. Por, derisa të ndërtohen këto, ne duhet të bëjmë ngrohje qendrore në Pejë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, për të ulur konsumin. Ndërtimi i termocentralit dhe lidhja në gazsjellës kërkon një mandat për t’u ndërtuar baza”, ka thënë ai.