Ish-ministri i Brendshëm i Kosovës, Bejtush Gashi, ka akuzuar Qeverinë për mangësi në aktivitetet diplomatike dhe vendime të pakoordinuara, të cilat sipas tij kanë zbehur raportet me SHBA-në Francën e Gjermaninë.
Ai ka thënë se pasi që Kuvendi i Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Qeveria duhet të zhvillojë lobim për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
“Vendimet që janë marrë kohëve të fundit sidomos, kanë qenë veprime të pakoordinuara dhe në të njëjtën kohë kanë zbehur raportet, sidomos më SHBA-në, Francën dhe Gjermaninë, dhe këto zbehje të raporteve kanë afektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në bashkëpunimin dhe partneritetin individual me Kosovën për të avancuar çështjen e Kosovës në proceset integruese, është në rastin e NATO-s”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka thënë se fokusi i Qeverisë është që të zhvillohet lobim për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
“Këtu është një mundësi e mirë që nga ky anëtarësim të përfitohet, janë rreth 1600 projekte që mbështeten nga ky Partneritet, që lidhet më ngritjen e kapaciteteve, arsimim, pastaj bashkëpunim individual, është momentum i favorshëm që të intensifikohet diplomacia për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit”, ka theksuar Gashi në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas tij më i suksesshëm në aspektin diplomatik ka qenë Kuvendi i Kosovës, sesa ekzekutivi.
“Ekzekutivi, përkatësisht diplomacia me gjithë kontingjentin që ka në dispozicion, në planin ndërkombëtar ka dështuar dhe nuk ka arritur sukseset që i ka arritur Parlamenti i Kosovës, fillimisht për t’u anëtarësuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe tash Asamblenë Parlamentare të NATO-s”, ka theksuar Gashi.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s të hënën.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë - në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.