Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, thotë se përpjekjet e Serbisë për të ndërhyrë në Kosovë kanë filluar edhe më herët se 24 shtatori, kur grupi terrorist serb nisi një sulm në Banjskë.
Gashi ka thënë se sulmi në Banjskë nuk ka qenë vetëm kundër Kosovës.
“Përpjekjet për të destabilizuar dhe ndërhyrë kanë filluar më herët, përkatësisht në rrafshin e retorikës luftë-nxitëse të përfaqësuesve shtetërorë të Serbisë. Ky akt jo vetëm që ka qenë drejtpërdrejt atak ndaj integritetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës, por edhe ndaj misioneve ndërkombëtare, përkatësisht NATO-s”, ka theksuar ai.
Sipas Gashit, situata e mëpasshme nuk është shfrytëzuar sa duhet nga ana e Kosovës, ndërsa ka përmendur masat e Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Ne ndodhemi me masa penalizuese ekonomike ndërkombëtare, në rrafshin diplomatik kemi ngërç të bashkëpunim dhe Kosova pas shpalljes së pavarësisë asnjëherë nuk i ka pasur punët më vështirë”, ka potencuar ai në "60 Minuta".
Gashi ka theksuar se vendimet që ka marrë Qeveria, si për Urën e Ibrit e të tjera në veri, pavarësisht se janë të ligjshme, duhej të shkonin në koordinim me ndërkombëtarët.
“Vendimet që janë marrë dhe mosharmonizimi kanë ndikuar drejtpërdrejt që raportet të jenë të acaruara. Përveç mosgatishmërisë për mbështetje në disa fusha kemi edhe izolim të bashkëpunimit ndërkombëtar”.
E, vendimet që Qeveria ka marrë në pjesën veriore të vendit, Gashi ka thënë se janë marrë më shumë për ta forcuar pozitën e vet te qytetarët votues.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk kanë qenë kundër këtyre vendimeve por është kërkuar harmonizim. Qeveria u ndodh para një situate që nuk arriti të përmbushë premtime që ka dhënë për të ardhur në pushtet dhe e vetmja temë që i mbeti për të ruajt komunitetin e mbështetësve, nga pranvera Qeveria filloi me këto vendime. Vendimet e tilla e forcojnë pozitën e Qeverisë jo vetëm të mbështetësve, por pretendojnë edhe te pjesa e papërcaktuar te mbështetja politike”, është shprehur Gashi.