Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se përgjimi në të cilin është përfshirë shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristi Milan Radoiçiq, është fatkeqësi kombëtare.
Gashi ka shprehur keqardhje për mënyrën se si ka degraduar debati në Kuvendin e Kosovës.
“Është për keqardhja ku ka mbërritur debati publik në Kosovë. Debati ka mbërri në pikën ku po përfshihet terroristi Radoiçiq. Është fatkeqësi që e dëmton sakrificën e secilit qytetar të Kosovës. Sot çka po dëgjojmë këtu dhe ajo që pamë dje është vazhdë e logjikës të cilën e ka ndërtuar LVV-ja, logjikë e përbaltjes duke qenë vetë e zhytur deri në fyt me kriminelët si Radoiçiqi. Ky është tmerri i demokracisë dhe përfaqësimit të Kosovës. Çka po gëzoheni, çka po duartrokitni? Ai është terrorist që ka kryer krime ndaj Kosovës. Është e kuptueshme që grupet politike në Kuvend duhet me u koordinu mes vete, por jo me u koordinu me kriminelë. Kuvendi i Kosovës zonë krimi. Interesi i Kosovës nuk është me u koordinu me Milan Radoiçiqin. Pse Vetëvendosje duhet të flasë me të, çka përfaqëson LVV-ja në këtë rast cilat janë vlerat demokratike e të përfaqësimit të kësaj partie? Pra vlerat e demokracisë, institucionalizimit, duhet me u përfaqësu këtu, jo vlerat e këtij rrugaqi. Është fatkeqësi kombëtare në rastin më të lehtë. Nuk duhet t’i duartrokitet një fatkeqësie kombëtare”, ka thënë Gashi drejtuar deputetëve të VV-së.
