Analisti politik Shkëlzen Gashi ka thënë se Kosova është në pozicion shumë më të mirë aktualisht po që se rikthehet tema për shkëmbime territoresh me Serbinë sesa që ka qenë para katër vjetëve.
Duke folur në edicionin e parë të podcastit “Rrjedha” në Kohavision bashkë me Rron Gjinovcin, për rikthimin e Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gashi ka thënë se tash Kosova e ka nën kontroll pjesën veriore.
Sipas tij, edhe nëse SHBA-ja e vendos në tavolinë këtë çështje “prapëseprapë gjendja është shumë ma mirë se nuk është qysh e kemi pas përpara”. Ai ka thënë se Kosova është në pozitë më të mirë në krahasim me të kaluarën sepse “ka kontroll në veri”.
“Nëse gjendja në terren kishte për të qenë ashtu siç ka qenë para ardhjes së Qeverisë Kurti 2, ku veriu ka qenë nën kontroll të strukturave paralele të Serbisë, të bandave kriminale atje... Do të thotë nën kontroll të Serbisë, 19 për qind e territorit të Kosovës prej urës së Ibrit e deri në kufi... Nëse do të ishte në atë gjendje, kur do të kishte ardhur Trumpi do ta kishte shumë ma të lehtë e të thoshte po, po e ndajmë apo po bëjmë shkëmbim të territoreve. Por tash kemi situatë krejt tjetër sepse kontrollin në atë pjesë të territorit të Kosovës e kanë institucionet e Kosovës, e ka Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të rëndësishme. Kështu që kjo është një send që të jep pak shpresë”, ka thënë ai.
“Në Luginë të Preshevës ke pasur popullatë shqiptare, por s’ke pas kurrfarë kontrolli. Në veri të Kosovës ke pasur popullatë serbe por s’ke pas kurrfarë kontrolli po ashtu. Tash ke kontroll në veri të Kosovës dhe nëse do të diskutosh për shkëmbim atëherë është shumë më e favorshme për Kosovën”, ka thënë Gashi më tej.
Ai ka thënë se pos idesë që të bëhej shkëmbimi i territoreve, plani ka qenë që për komunat me shumicë serbe që do të mbetnin në Kosovë të bëhej Asociacion, që të ketë status eksterritorial për kishat dhe manastiret ortodokse, zhbërje të Gjykatës Speciale e mosndjekje të krimeve të luftës.
Gjinovci: Trumpi e ndryshoi bindjen për shkëmbime territoresh
Analisti politik Rron Gjinovci duke folur për rikthimin e Trumpit si president në SHBA, ka thënë se ka qenë ai që e ka ndryshuar qasjen kundërshtuese për shkëmbime territoresh mes shteteve.
“Shkëmbimi i territoreve ka qenë diçka që s’u ka pëlqyer në përgjithësi. Kur ka ardhur Trumpi kjo ka ndryshuar. Ne e kemi dëgjuar më së shumti këtë kundërshtimin e shkëmbimit të territoreve prej zyrtarëve të lartë evropianë sepse atyre s’ju pëlqen fare kjo ide, sepse dihet që gjithmonë ka pasur luftëra për ato tema. Trumpi e ka ndryshuar këtë. E kemi parë për një moment se në SHBA kjo s’është problematike, e kur nuk është në SHBA, Evropa deshëm a s’deshëm me krejt fuqinë e vet që e ka nuk është lojtare që mund të bëjë kësi ndryshime”, ka thënë ai në edicionin e parë të podcastit “Rrjedha” në Kohavision.