Bejtush Gashi, kandidat për deputet nga Koalicioni për Familjen, ka deklaruar se një investim i duhur ekonomik do të bënte që në veri të Kosovës të uleshin tensionet etnike. Ai ka thënë të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se qytetarët në veri po përballen me presion të jashtëzakonshëm nga grupe të ndryshme.
“Qytetarët në veri janë nën presion të jashtëzakonshëm sidomos nga grupet që lëvizin. Vështirë ato grupe të jenë në monitorim pasi janë të involvuara inteligjenca jo vetëm serbe, por edhe ndërkombëtare për ta përdorë atë territor potencialisht për të krijuar tensione”, ka deklaruar Gashi.
Ai u shpreh se secili tension do të mundësonte që të kishte ndikim politik te pakica “dhe në të njëjtën kohë të arrihen projekte strategjike për konsum të brendshëm të Serbisë”. Sipas kandidatit për deputet, këtë situatë e ka shfrytëzuar edhe Qeveria e Kosovës.
“...Kemi parë edhe momente kur Qeverisë së Kosovës i ka konvenuar një situatë e tensionuar pasi në 2 vitet e fundit fokusi i Qeverisë ka qenë në veri...Kur arrin një investim ekonomik t’i ulë ato tensione, e çështjen e mosmarrëveshjeve të rrafshit etnik s’do të jenë temë”, ka deklaruar ai.
