Kadri Gashi nga Organizata SIT (Qendra për Këshillim, Punë Sociale dhe Hulumtime), ka deklaruar se lidhur me pjesëmarrjen e grave në zgjedhje, zakonisht në fushatë bëhen kalkulime politike.
Të enjten në “Zgjedhjet në KOHË”, Gashi ka thënë se nuk u jepet mjaftueshëm hapësirë profileve të reja.
“Ajo çka mund të kuptohet në të gjitha zgjedhjet, si ato nacionale edhe ato lokale, numri më i madh apo përqindjes së pjesëmarrjes së grave në listat zgjedhore është maksimumi rreth 40%. Që i bie se as nuk është 50 me 50, siç e parasheh Ligji për Barazi Gjinore. Shumë shqetësuese për mua është se shumica e këtyre grave kandidate janë në po të njëjtin profil. Ka gra deputete që janë mbi 20 vjet në sferën politike dhe ndoshta është edhe njëfarë presioni kryesisht që vjen prej burrave apo kryesisë së partisë që mos t’u jepet mundësi profileve të reja, grave të reja që të kenë qasje më të mirë në raport me burrat. Këto janë kalkulime politike dhe zakonisht para, gjatë e pas fushatës zgjedhore është retorika e partive që e kanë si top prioritet barazinë gjinore e fatkeqësisht në realitet nuk ndodh asgjë. Është pak për t’u shqetësuar si shoqëri kosovare pasi emancipimi në aspektin politik dhe në vendimmarrje është për keqardhje”, ka theksuar ai.
Demolli: Ligji i Punës, barrierë për gratë - partitë e shmangin këtë temë
Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thënë se Ligji i Punës ka qenë vazhdimisht barrierë për gratë në Kosovë, teksa ka kritikuar partitë se po e shmangin temën e punësimit të grave në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Në debatin për gratë në “Zgjedhjet në KOHË”, Demolli ka thënë se ka tendencë të vazhdueshme nga politikanët që për gratë të adresohet më shumë çështja kah tradicionalja dhe patriarkalja, dhe jo që për gratë të ketë më shumë propozime të avancuara, pos atyre
Ajo ka thënë se shoqëria civile u ka dërguar njëlloj manifeste para fushatës partive që të ndryshojnë Ligjin e Punës për pushimin e lehonisë, por sipas saj, partitë e shmangin këtë çështje në fushatë.
“Ligji mbetet barrierë sepse s’paguhet pushimi i lehonisë prej shtetit dhe s’kemi parë asnjë program që e strukturon dhe rregullon saktë. Asnjëra s’premtojnë dhe e shmangin temën sepse s’dëshiron”, ka thënë ajo teksa i ka quajtur premtimet e partive si “politika të prapambetura”.
Pabarazia gjinore, Luci: Në programet e partive për gratë flitet vetëm si nëna
Kryeredaktorja e revistës Kosovo 2.0, Besa Luci, derisa ka folur për pabarazitë gjinore sa i përket përfaqësimit të grave në programet partiake, ka thënë se në programet e partive, për gratë flitet vetëm si nëna.
Të enjten në “Zgjedhjet në KOHË”, Luci ka thënë se përveç rolit të amësisë, nuk ka asnjë politikë specifike në programet e partive që trajton inkuadrimin e grave në tregun e punës.
“Shumica e programeve, ato që janë të publikuara, pasi Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka publikuar, megjithatë e kemi qeverinë e parë pas 2008-s që po e përfundon një mandat të plotë dhe mendoj se na jep shumë mundësi që ta mbajmë përgjegjëse në atë drejtim, por në shumicën e programeve të partive politike për gratë flitet vetëm në rolin e tyre si nëna, pra vetëm në rolin e amësisë dhe asgjë tjetër që jep shenja apo na jep vizion politik apo politika specifike që e trajtojnë qoftë inkuadrimin e grave në tregun e punës, qoftë nëse i shohim planet rreth mbrojtjes sociale, asgjë nuk e ka aspektin gjinor, pra mungon në përgjithësi trajtimi i drejtësisë gjinore”, ka thënë ajo.