Arbëri

Gashi: Komuna e Graçanicës i diskriminon banorët shqiptarë, s’u jep leje ndërtimi

Granit Gashi

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Graçanicë, Granit Gashi, ka thënë se Komuna e Graçanicës po i diskriminon banorët shqiptarë, pasi që sipas tij, ajo po aplikon standarde të dyfishta si i përket zbatimit të një rregulloreje për pajisjen me leje të ndërtimit. 

Ai në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, ka thënë se neni 36 i rregullores së miratuar në vitin 2018, aplikohet vetëm për banorët shqiptarë. 

“Neni 36 i saj përcakton që secila parcelë që është me destinim për ndërtim, lejohet që të marrë leje ndërtimore vetëm nëse ka qasje direkt në rrugë publike e që komuna është autoriteti kompetent që një parcele ia lejon qasjen në rrugë ose jo”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij në asnjë rast Komuna nuk ka pranuar që të bëjë marrëveshje me banorët shqiptarë në mënyrë që atyre t’u lejohet ndërtimi në parcela të caktuara. 

“Komuna e Graçanicës asnjëherë nuk ka pranuar që banorët shqiptarë të ia dhurojnë një pjesë të parcelës dhe ta destinojnë për rrugë e as nuk ka pranuar që të bëhet shkëmbimi i parcelave, ku një qytetari t’i merret një pjesë e parcelës dhe ajo të destinohet si rrugë e pastaj t’i shkëmbehet me një pronë tjetër në një vend tjetër, siç kanë bërë të gjitha komunat e tjera”, është shprehur Gashi. 
 

Sipas tij banorët serbë lejohet të ndërtojnë edhe nëse parcelat e tyre nuk kanë qasje direkte në rrugë publike.

Ai ka deklaruar se si asamblist ka propozuar që Kuvendi Komunal ta shfuqizojë këtë nen, por që propozimi i është refuzuar. 

“Në seancën e mbajtur më 29 mars, propozimi për shfuqizim të këtij neni nuk ka kaluar, jam vetëm unë asamblist, 18 të tjerë janë serbë nga Lista Serbe dhe të gjithë kanë refuzuar që kjo pikë të futet në rend të ditës”, ka theksuar Gashi. 

Ai ka thënë se si pasojë e aplikimit të këtij nenin ka me qindra ndërtesa që janë ndërtuar pa leje. 
Gashi ka paralajmëruar se për këtë çështje së shpejti do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. 
“Besojmë shumë që Gjykata kushtetuese do ta japë vendimin e saj dhe do ta konsiderojë që ky nen është në kundërshtim me aktet ligjore dhe vetë Kushtetutën”, ka deklaruar ai duke shtuar se ka katër muaj që kjo çështje është duke u trajtuar edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit. 

Gashi ka deklaruar se popullsia shqiptarë në Graçanicë është në rritje. Sipas tij në regjistrimin e para dhjetë vjetëve shqiptarë kanë qenë 22 për qind e banorëve. Por ai ka thënë se më regjistrimin e këtij viti beson që kjo përqindje do të rritet në 35 për qind.

Gashi ka deklaruar se beson që pas dy apo tri mandateve Graçanica do ta ketë edhe kryetarin shqiptar.