Arbëri

Gashi kërkon rinumërim të votave në Prishtinë, e quan të dështuar procesin e numërimit

Arben Gashi, LDK

Foto: Driton Paçarada

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e ka quajtur të dështuar procesin e numërimit të votave në Qendrat e Numërimit Komunal. 

Ai ka kërkuar rinumërim të të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë. 

Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka vënë në dyshim vërtetësinë e rezultatit zgjedhor. 

“Siç po duket, procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar. Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor. Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë”, ka shkruar Gashi. 

Ai tutje ka shprehur dyshime edhe për manipulim masiv të votave të diasporës. 

“Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme”, ka thënë ai. 

Ditë më parë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi rinumërimin e votave të LDK-së në Vushtrri pas ankesës së pranuar të kandidates për deputete Rrezarta Krasniqi, që akuzoi bashkëpartiakun Xhafer Tahiri për manipulim me vota.

E KOHA ka siguruar rezultatet nga rinumërimi. Sipas të dhënave të siguruara ndryshime në vota ka pasur në listë te 92 kandidatë. Kandidatit Tahiri iu hoqën 88 vota e një votë iu hoq edhe Krasniqit që u ankua.

Dyshime pëe manipulim me vota të diasporës ka shprehur edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka kërkuar që të përsëritet ky votim.