Arbëri

Gashi: Janë katër kushte për pajtim të dy popujve të hasmuar

Shkelzen Gashi

Autori i librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999, Shkelzen Gashi, ka thënë se janë katër kushte të cilat duhet të plotësohen nga dy popuj të hasmuar në mënyrë që të arrihet te pajtimi mes tyre.

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Gashi ka thënë se kushti i parë është që të dyja palët ta dinë të vërtetën se çfarë ka ndodhur. 

Si kusht të dytë, ai e ka përmendur pendimin e agresorit karshi viktimës, ndërsa pas tij kërkimfaljen.  

“Për të pasur pajtim, është një filozof francez, Jean Paul Rice, i cili është marrë shumë me pajtimin mes popujve të armiqësuar. Ai nxjerr katër kushte që duhet t’i plotësojnë dy popuj të hasmuar për të arritur te pajtimi. Neve na sugjerohet nga bashkësia ndërkombëtare që të ketë pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, por për të pasur pajtim duhet kaluar në disa faza. Palët duhet ta dinë tërë të vërtetën se çfarë ka ndodhur. Duhet të ketë pendim të agresorit karshi viktimës. Duhet të ketë kërkim falje. Vetëm kur të kryhen këto, vjen pajtimi. Ne nuk mund të arrijmë pajtim me Serbinë pa e kryer fazën e parë, pa e ditur saktë se çfarë ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë ai. 

 


Gashi: Për 25 vjet, ne nuk kemi shkruar histori, vetëm kemi shkarravitur

Autori i librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Shkëlzen Gashi, ka thënë se për 25 vjet në Kosovë nuk është shkruar historia, por sipas tij, ajo është shkarravitur dhe është bërë propagandë.

Sipas Gashit, dëshmi për këtë është fakti që ende nuk dihet saktësisht sa të vrarë janë nga lufta e fundit në Kosovë.

“Ne nuk e kemi shkruar historinë, ne vetëm kemi shkarravitur, kemi bërë propagandë. Çka me të thënë unë ty më shumë, mjafton veç me të thënë që për 25 vjet ti nuk e dinë sot e kësaj dite sa persona janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Ju jeni gazetare, nuk ka nevojë me dalë në qytet me i pyet qytetarët. Mundeni me i pyet deputetët. Nëse shkojnë gazetarët edhe i pyesin secilin prej deputetëve, sa qytetarë janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë, asnjë nuk e di. Gjithçka e kemi rreth, afro, aty diku. Edhe për të burgosurit politikë. Nuk e dimë sa të burgosur politikë i kemi pasur prej 1912 deri më 1999”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Gashi ka thënë se kjo tregon “paaftësinë e shtetit”.


Pse disa masakra në Kosovë "janë lënë në harresë", shpjegon Gashi

Autori i librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999, Shkelzen Gashi, ka shpjeguar disa nga arsyet se pse disa masakra në Kosovë janë më të njohura, ndërsa disa të tjera “janë lënë në harresë”.

Sipas tij, disa masakra, si ajo e Reçakut, Prekazit, Abrisë, apo Likoshanit, janë më të njohura dhe njerëzit kanë më shumë informacione për to për shkak se kanë pasur vëmendje mediale vendore e ndërkombëtare më shumë, si dhe kanë ndodhur në momente të rëndësishme historike të Kosovës. 

“Për disa (masakra) dimë më shumë për shkak se kanë marrë vëmendje mediale vendore e ndërkombëtare më shumë. Ose kanë ndodhur në momente të rëndësishme historike të Kosovës, ose kanë ndikuar që të ndodhin ngjarje të rëndësishme historike. Ne dimë për Reçakun shumë sepse ka qenë një prej masakrave që kanë ndikuar që bashkësia ndërkombëtare të organizojë një konferencë ndërkombëtare për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ose ne dimë shumë për masakrën në Abri, në familjen Delijaj, për shkak se kjo masakër ka ndikuar që grupi i kontaktit të mblidhet atëkohë dhe të diskutojë e të marrë hapa ndaj atëherë Republikës Federale të Jugosllavisë për krimet që i bënte. Ose dimë për Likoshanin për shkak se është e para, për Prekazin për shkak të ndikimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme në rritjen e luftës kundër forcave okupuese serbo-jugosllave”, ka thënë ai të martën në “Konfront” të KTV-së.

Mirëpo, sipas Gashit, të njëjtën vëmendje nuk e ka pasur masakra e Gollakut, e ndodhur në afërsi të kryeqytetit, e ku për disa ditë janë ekzekutuar 209 civilë të pafajshëm nga forcat serbe.  

“Masakra e Gollakut është masakër që përkujtohet shumë rrallë dhe është masakër që ka ndodhur pak kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, por nuk është përkujtuar kurrë dhe unë jam befasuar shumë, sepse ajo ka ndodhur në disa fshatra, është një regjion i tërë, në Llukar, Makovc, Grashticë, Mramor, Marec, Koliq, Dyz, janë një mori fshatrash ku për tre-katër ditë forcat serbe kanë ekzekutuar 209 civilë të pafajshëm e të paarmatosur”, është shprehur tutje ai.