Arbëri

Gashi: Integrimi në BE kërkon dialog dhe mbështetje

Maqedonia e Veriut

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka thënë se  integrimi i shpejtë i vendit në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti i tyre si shtet, por edhe i përfaqësuesve të partive politike shqiptare.

Sipas tij, për këtë nevojitet dialogu me të gjitha palët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, para së gjithash, me shtetet fqinje.

Ai në intervistën për REL-in reagoi edhe ndaj pohimeve të partisë E Majta, e cila akuzoi koalicionin VLEN dhe VMRO DPMNE për “kosovarizimin” e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

“Natyrisht, është botërisht e ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë hapur dhe e ka përkrahur koalicionin VLEN. Njëri nga eksponentët e Vetëvendosjes që është nga Maqedonia e Veriut, Bekim Qoku, ishte në listën për deputetë dhe është zgjedhur deputet i këtij koalicioni”, ka thënë Gashi duke shtuar se raporti i tyre është i afërt.