Avokati Tomë Gashi, i cili ka përfaqësuar Rade Basaran në rastin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, ka thënë se klienti i tij do të ngre padi përmes së cilës do të kërkojë dëmshpërblim nga shteti për tri vjetët e kaluara në paraburgim.
Të premten, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Nedelko Spasojeviq me katër vjet e gjashtë muaj burgim për pjesëmarrje në një grup kriminal që e organizoi vrasjen e Oliver Ivanoviqit gjashtë vjet më parë. Në këtë rast Marko Roshiq është dënuar me dhjetë vjet burgim për veprën penale pjesëmarrje në krim të organizuar, ndërsa Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, janë dënuar me nga katër vjet burgim. Nga akuzat është liruar Sillvana Arsoviq e më herët edhe Rada Basara.
Avokati Gashi ka fajësuar ish-prokurorin që është marrë me këtë çështje për “ngritje të aktakuzës pa kurrëfarë prove”.
“Vendimi i Gjykatës ka qenë i drejtë, flas gjithmonë për klientin tim i cili ka qenë hetues në Polici. Është kroat. Prokurori e ka dit që gjatë kohës së vrasjes së Ivanoviqit, klienti im ka qenë në Kroaci. Këta kanë qenë të akuzuar si grup kriminal, që kinse kanë bashkëpunuar për fshehje të provave. Klienti im ka qenë qëllimisht apo gabimisht i akuzuar nga një ish-prokuror. Ka qenë mbi tri vjet në paraburgim pa kurrëfarë prove. Pasi ta marrim aktgjykimin, do të ngrem padi për të kërkuar dëmshpërblim. Ish-prokurori e ka ngre me nguti këtë akuzë për t’u dukur si rast i madh”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Gashi ka rekomanduar prokurorët të mos ngrenë aktakuza “pa menduar dy herë”.
“Prokurorët duhet të mendojnë dy herë para se të ngrenë akuzë, pasi përgjegjësinë e jep shteti e jo prokurori. Prokurorët e mirë ngrenë atakuzë duke e llogaritur probabilitetin që do të shpallen fajtor”, ka shtuar ai.
Për rastin e vrasjes së Ivanoviqit në arrati janë Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq, Milan Radoiçiq dhe dy të pandehur të tjerë të panjohur.
Avokati Gashi ka thënë se drejtësia ende nuk është vendosur pa arrestimin e njerëzve që kanë financuar vrasjen e politikanit serb.
Politikani serb Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, pranë zyrës së iniciativës së tij qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (Sloboda, demokratija, pravda-SDP). Ai e kritikoi mbështetjen e Listën Serbe nga Beogradi dhe paraqitjen e kësaj si të vetmen alternativë të Serbëve të Kosovës. Në kohën kur u vra ai ishte në proces rigjykimi për krime lufte lidhur me dëbimin e shqiptarëve nga veriu i Kosovës.
LEXO EDHE: