Eksperti i çështjeve të sigurisë, Bejtush Gashi, ka thënë se pavarësisht se ka pasur disa sulme tashmë, nëpër institucione nuk ka pasur asnjë dorëheqje.
Sipas tij, dikush do të duhej të jepte dorëheqje morale deri tash për mosparandalimin e sulmeve.
“Shqetësohem se të gjitha problemet, nuk kemi pasur asnjë rast nga institucionet e sigurisë që të ndihet dikush përgjegjës dhe të paktën të japë dorëheqje morale. Duhet të mbahet përgjegjës dikush, kanë ndodhë të gjitha këto probleme që kanë ndodhur dhe për inteligjencën dhe Policinë është investuar shumë. Edhe për ushtrinë po ashtu është rritur buxheti. E problemet që po i analizojmë nuk e kemi asnjë rast kur dikush nga këto institucione të ndihet përgjegjës për të reaguar të paktën në rrafshin moral”, ka thënë ai.
Ibishi: Sulmi në Ibër-Lepenc i planifikuar mirë, i kryer nga një ekip i specializuar nga Serbia
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit javën e kaluar është i planifikuar mirë.
Sipas tij, një akt të tillë mund ta bëjë vetëm një ekip i specializuar dhe se shpie se urdhërdhënësi është në Beograd.
Ibishi ka shtuar se gjetja e pikës kyç të infrastrukturës kritike tregon se është kryer nga niveli më i lartë i inteligjencës.
“Mënyra e kryerjes, gjetja e pikës kyç të infrastrukturës tregon se kjo nuk është bërë prej një personi apo prej një grupi joformal, kjo është bërë prej nivelit më të lartë të inteligjencës. Kjo nuk mund të bëhet prej disave në veri të Kosovës, ata mund të jenë kryerësit apo bashkëkryerësit, por kjo është bërë prej ekipeve të specializuara sepse krejt projektet e infrastrukturës kritike i ka Beogradi. Duke iu referuar e gjithë kësaj, vij në konkludim se këtë e ka bërë një ekip i specializuar i Qeverisë së Beogradit. Kjo shpie direkt se urdhërdhënësi është në Beograd. Kjo është targetuar pika nga një ekip jashtëzakonisht i specializuar, nuk është në veri të Kosovës, por përtej. Është targetuar pika më e ndjeshme e sistemit. Ky veprim është i planifikuar mirë prej një ekipi shumë të specializuar”, ka thënë ai.
Gashi kritikon Qeverinë për sulmin në Ibër-Lepenc: Reagim i dobët institucional
Bejtush Gashi, ekspert i çështjeve të sigurisë, e ka kritikuar Qeverinë për menaxhim të dobët të situatës pas sulmit në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc. Ai ka thënë se ajo ka dështuar në parandalim dhe reagim pasi është krijuar panik te popullata.
Sipas tij, institucionet është dashur të organizohen dhe të krijohet zinxhiri i përgjegjësive shtetërore për të komunikuar edhe për mediat, e jo që gazetarët të shkonin direkt në vendngjarje.
“Zhvillimet e fundit, sidomos vitin e fundit, ish dashtë të ndikonin te Qeveria e Kosovës që të jetë më e vëmendshme që të rishikojë vlerësimin e rreziqeve me të cilat përballet siguria kombëtare dhe karshi kërcënimeve të marr masa të padrejta dhe jo të reagoj kujdestar i reagimeve kur ndodhin ato... E patëm rastin e fundit, ishte menaxhim tepër i dobët, i dështuar në aspektin institucional sepse aty u futën gazetarë, u futën të gjithë dhe në drejtime institucionale nuk janë marrë masa. E kemi një ligj të 2018 që parasheh që personat që drejtojnë këto institucione të hetohet e kaluara e tyre në aktivitete dhe angazhime sepse aq shumë shkohet në detaje sa kur bëhet studimi profesional nëse nuk ka mundësi shteti e ndihmon dhe shteti merr masa”, ka thënë Gashi.
Ibishi: Shpejt u harrua rasti i Gërbiqit me 13 kg eksplozivë, synoi katedralen për Krishtlindje
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka treguar për rastin e para 10 vjetëve kur u kap serbi Gërbiq me 13 kilogramë eksplozivë në Prishtinë.
Ibishi u shpreh se Gërbiqi e kishte urdhër të shkaktonte akt terrorist te katedralja në kryeqytet gjatë natës së Krishtlindjeve.
“Ky është Gërbiqi (tregon foton e tij0. Kjo ka ndodhur para 10 vjetëve. Ai nuk ka sjell patate prej Serbisë. Ka ardhur një herë, ka fjetur këtu në ‘Grand’, shumë i relaksuar. A e dini për çfarë qëllimi ka ardhur? Ka pasur 13 kilogramë eksplozivë. Rastësisht ka ardhur informacioni te inteligjenca jonë dhe është kapur afër Ambasadës amerikane dhe iu gjet eksplozivi. Iu gjet harta se ku ka me vendos eksplozivin dhe si ka me u largu nga vendngjarja. Ai u pat fut në borxhe dhe pastaj shteti i Serbisë e përdori... Ai synoi katedralen në natën e Krishtlindjeve, por nuk mori urdhrin për të goditur. Gërbiqi erdhi me urdhër të caktuar, të shkaktonte akt terrorist”, ka thënë Ibishi në “Konfront”.