Arbëri

Gara: Serbia vazhdon të politizojë me çështjen e të zhdukurve me forcë gjatë luftës

Kushtrim Gara

Foto: Ekonomia Online

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka thënë se Serbia vazhdon të ketë qasje politizuese dhe po refuzon t’i hapë arkivat. 

Gara në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka thënë se gjatë këtij viti në total diku kanë pasur afro nëntë takime, si shumëpalëshe ashtu edhe dypalëshe, për çështjen e të zhdukurve me forcë gjatë luftës. 

“Serbia vazhdon të mos i hapë arkivat, për më keq vazhdon qasje politueze. Gjatë këtij viti janë zhvilluar diku tetë apo nëntë takime rajonale apo dypalëshe”, ka thënë Gara për “Ekonomia Online”. 

Ai ka thënë se në takimet më 2 dhe 9 korrik janë dakorduar për gërmimin në tri lokacione në territorin e Serbisë – në Kozhle, Kozarevë dhe në Batajnicë. 

“Në takimin e 2 korrikut të grupit punues dhe 9 korrikut në nivel të ekspertëve mjeko-ligjorë, jemi dakorduar të ketë gërmime në tri lokacione të Serbisë. Në Kozhle, afër një deponie të mbeturinave në Novi Pazar, në Kozarevë dhe në lokacionin në afërsi të Beogradit, pra Batajnicë, mundësinë që të kthehemi aty. Nga ky lokacion gjatë vitit 2001 dhe 2002, ishin gjetur e zhvarrosur mbetje mortore të më shumë se 740 viktimave të luftës. Një numër i konsiderueshëm i viktimave të masakrave që ndërlidhen me këtë varrezë masive, vazhdojnë të mbeten në listën e personave të zhdukur. Pas analizave që kemi bërë, duhet të jenë mbetjet mortore të paktën edhe të 58 personave tjerë në atë zonë”, ka thënë Gara. 

Ai ka thënë se vazhdojnë të mbesin mbi 1595 persona të zhdukur me forcë gjatë luftës. Ai ka thënë se kjo çështje është prioritare. 

Gara ka shtuar se është kërkuar në takime që të vihet në dispozicion lista pre 16 varrezave masive, që ishte konfirmuar qysh në vitin 2001, atëbotë nga grupi punues i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. 

“Ne jemi fokusuar gjatë kësaj kohe në pesë varre masive në territorin e Serbisë, ku janë gjetur e zhvarrosur mbetjet e më tepër se 900 viktimave të luftës. Por, nuk e dimë nëse ato pesë varre masive janë pjesë e listës prej 16 varreve masive. Serbia duhet ta vë në dispozicion atë listë dhe të nisen gërmimet”, ka thënë Gara. 

Ai ka shtuar se brenda territorit të Kosovës janë kontrolluar në total rreth 2800 lokacione në 25 vjetët e fundit. 

Gara ka thënë se derisa ishin të përgatitur për t’i nisur gërmimet në Kozhle, Serbia njoftoi se duhet ndërprerë përgatitjet në terren e të barten vitin e ardhshëm.