Arbëri

Gacaferri: Komunat kanë ecur shumë më tepër se niveli qendror në turizëm

Virtyt Gacaferri

Virtyt Gacaferri nga “Balkan Natural Adventure” ka thënë se disa komuna kanë ecur shumë më shpejtë sa i përket zhvillimit të turizmit sesa niveli qendror.

"Nëse shkoni në Komunën e Pejës, ende pa e hapur gojën, u përkrahet projekti. Edhe komuna e Deçanit është kapur mirë. Më pak Istogu e Prizreni", ka thënë ai.

Ka folur edhe për përkrahjen e nivelit qendror.

"Më ka treguar kryetar i Deçanit, 30 herë i ka nisur e-mail Ministrisë së Financave për përkrahje dhe nuk ka marrë përgjigje. Kjo flet mjaftë", ka thënë ai.

Po ashtu ka thënë se dyshon se për Strategjinë për Turizmin do të shpenzohen 200 milionë euro në periudhë trevjeçare.

"Nëse ndahen 200 milionë euro, gjë që unë dyshoj, atëherë do të mbetet shenjë", ka thënë ai.


Lipovica tregon se si do të shpenzohen 200 milionë eurot e ndara për Strategjinë e turizmit

Drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, ka treguar se Strategjia për turizmin do të mbulohet me 200 milionë euro. 

Lipovica në “Konfront” të KTV-së ka treguar se kjo Strategji parasheh pesë objektiva, ndërsa e para është zhvillimi i brendit. 

“Deri më tash s’kemi pasur brend turizëm. Edhe me ligj e ke obligim me përcaktu brend të Kosovës për turizëm. Jemi në procedurë të tenderimit të zgjedhjes operatorit që do të na ndihmojë me zhvillu brendin e pastaj me promovu. Pastaj Strategjia parasheh digjitalizimin edhe të informatave edhe të atraksioneve me i fut në rrjete digjitale, si Google Maps e të tjera. Pastaj me shenjëzimin në mënyrë digjitale edhe të rezorteve turistike dhe shtigjeve”, ka thënë Lipovica. 

Ai ka shtuar se buxhetimi më i madh parashihet në infrastrukturë, më saktësisht në krijimin apo lehtësimin e qasjes për në rezorte turistike. 

Po ashtu tha se parashihet edhe rritja e kapaciteteve akomoduese, duke shtuar se janë rritur kërkesat. 


Hasani: Ironike, kompanitë e huaja e promovojnë turizmin në Kosovë

Muhamer Hasani nga “GuideKS” ka thënë se ironikisht kompanitë e huaja e promovojnë Kosovën si destinacion turisitik.

I ftuar në “Konfront” të KTV-së ku po diskutohet tema “Kosova dhe turizmi”, Hasani ka thënë se është bërë shumë pak që të promovohet Kosova si destinacion turistik.

“Turizmi nuk është teori. Startin e ka në teori, por gjithçka është praktikë. Njerëzit duan të shohin paktën, çfarë i pret, çfarë internerari. Për me përkthy këtë në diçka të thjeshtë, nëse hyn me komentu diçka për Kosovën përshembull në platformën “TripAdvisor”, e shihni që kompanitë e huaja e promovojnë Kosovën si destinacion turistik. Një është prej Maqedonisë së Veriut, një prej Bosnjës... jam t’u fol për turizmin kulturor. Është bërë shumë pak që të promovohet Kosova si destinacion turistik. S’ka investim serioz”, ka thënë ai.

Hasani ka thënë se në kompaninë ku punon zakonisht kontaktohen nga operatorë të huaj, “të cilët na dërgojnë orarin dhe gjithçka çka duhet të bëjmë kur vijnë turistët në Kosovë”.


Gacaferri për turizmin: Problemi nuk është strategjia, por mosfinancimi i saj

Virtyt Gacaferri, drejtor i “Balkan Natural Adventure” ka thënë se turizmi në Kosovë përballet me sfida të ndryshme, por ka veçuar si të theksuar problemin me mbeturinat.

Gacaferri ka theksuar se në fushën e turizmit nuk është bërë asgjë përveç rrugëve pavarësisht se udhëheqësit politikë e kanë përmendur vazhdimisht.

“Problemi i turizmit nuk është te Ministria e Industrisë, problemi është te udhëheqësia politike për 20 vjetët e fundit në Kosovë. të gjitha kanë folur për turizmin, dhe nuk është bë. Turizmi nuk bëhet me strategji, bëhet duke financu strategjinë. Për shembull Brezovica, nuk jemi në gjendje ta pastrojmë bërllokun atje, mos të flasim për të tjera”, ka thënë ai në “Konfront”.

 Gacaferri e ka quajtur të çuditshme që në turet e tij malore vazhdimisht has në mbeturina.

“Ne i kemi turet ndërkufitare, çudi është që në 2200 metra lartësi kur e kalon një kufi që nuk shihet, veç kur kalon në anën e Kosovës, qoftë prej Malit të Zi apo Shqipërisë, sasia e bërllokut shtohet”.