Arbëri

Fushë-Kosova, qytet në rritje me mungesë infrastrukture

Çdo të dytën ditë, Haxhi Statovci nga Sllatina e Madhe e Fushë-Kosovës, me traktor udhëton për në Vrellë të Lipjanit për të mbushur rezervuarët me ujë për pije.

Statovci thotë se këtë rrugën e bën meqë nuk është i kyçur në rrjet të ujësjellësit dhe është alternativa e vetme për të siguruar ujë të pijshëm.

“Për ujë vijmë çdo të dytën ditë, pardje i kam marrë dy turra, sot dy, pasnesër dy, për çdo të dytën ditë ka dy turra vij e i marr. Bunari s’e man ujin, gjysmën e pi toka, gjysmën unë. Qe 30 vjet jam duke bajtë ujë, është kanë rrjeta po e kanë ndalë edhe atë se ka qenë për ushtarë edhe tjetrën e kanë ndalë. Qe 30 vjet bajë ujë unë, për më pi, pastrim etj”, thotë ai.

Burim për sigurimin e ujit të pijes Vrellën e kanë edhe banorët e fshatit Rrafshinë.

Ismet Qeriqi thotë se ujin e puseve nuk mund ta përdorin për pije për shkak të depërtimit të ujit të kanalizimit, kështu që ata duhet të udhëtojnë drejt Lipjanit për t’u furnizuar me ujë.

“Çdo të tretën ose katërtën ditë duhet me i mbushë nga dy bidonë, nga një mijë litra, domethënë dy mijë litra ujë me i bajtë. Kur s’ke zgjidhje duhet me vazhdu kështu, por nuk është e arsyeshme që në shekullin 21 me bajtë ujë”, ankohet Qeriqi.

Jo të gjitha fshatrat e Fushë-Kosovës janë të kyçura në rrjetin e ujësjellësit. Nga kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” tregojnë se vetëm Miradia e Epërme, ajo e ulët, Vragolia, Sllatina, Bardhi i Vogël e i madh, Pomozotini Graboci i ulët, Kuzmini, Lismiri, Nakarada, Henci, qyteti i Fushë-Kosovës në tërësi furnizohen me ujë të pijshëm nga kjo kompani.

Pavarësisht se banorët e fshatrave të Fushë-Kosovës përballen me mungesa të kushteve elementare për jetesë, numri i banorëve në qendër të qytetit është rritur dukshëm.

Fushë-Kosova ka të regjistruar rreth 20 mijë banorë, por që aktualisht, siç kishte deklaruar zëdhënësi i Komunës për KOHËN, numri i banorëve është rritur dukshëm.

Një gjë e tillë përputhet edhe me numrin e lartë të ndërtimeve të komplekseve banesore e kërkesat për të blerë banesa atje.

“Kërkesat janë të jashtëzakonshme për Fushë Kosovë meqë është zonë si ‘paralagje e Prishtinës’, ka lidhjen shumë të mirë me qytet, ka njerëz që shkojnë edhe këmbë as afër sa është e tjetër është se çmimet janë përgjysmë më të lira”, ka thënë Dukagjin Avdyli nga “Realestate”.

Por, ndërtimet kanë shkaktuar probleme të shumta. Këtë vit, kur edhe pati të reshura të pandërprera, njëri nga komplekset u përfshi nga uji.

Një gjë e tillë, sipas arkitektit Bekim Ramku është se nuk respektohen standardet e ndërtimit e ligjet për këtë punë.

“Një udhëzim administrativ si me e planifiku një lagje apo vetë qytetin, janë planet rregullative. fatkeqësisht, përpos fushë Kosovës edhe në vendet e tjera mungon koordinimi i planeve rregullative të lagjeve me planin zhvillimor urban”, sipas Ramkut.

Ramku shton se nuk përfillen as nevojat e qytetarëve kur fillojnë ndërtimet.

Shtimi i ndërtesave e bashkë me të edhe numri i banorëve kanë bërë që rrugës “Dardania” në Fushë-Kosovë, qytetarët t’i referohen edhe si Durrësi i Kosovës.