Nxënësit e shkollës në fshatin Dragobil të Malishevës, gjysmëvjetorin e dytë nuk e filluan në objektin e ri që u përurua para dy jave, meqë nuk kanë karrige. Në objekt të vjetër ku mbajnë orën mësimore rreth 25 minuta, mbetën edhe nxënësit e shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran të Vitisë. Përurimi i paralajmëruar për ditën e mërkurë u anulua nga Ministria e Arsimit, pasi Komuna bojkotoi organizimin me pretendimin se objekti nuk është kompletuar
Gjysmëvjetori i dytë i gjeti sërish nxënësit e shkollës “Emin Duraku” në fshatin Dragobil të Malishevës në objektin e vjetër, ani se godina e re u përurua para dy javësh.
Me ceremoni zyrtare Ministria e Arsimit përuroi më 24 dhjetor objektin e ri të shkollës, në vlerë prej 1.7 milionë euro.
Por, Arianit Paçarizi, drejtori i shkollës, thotë se Ministria është nxituar ta përurojë objektin edhe pse është njoftuar se procesi mësimor nuk mund të mbahet në godinën e re meqë mungojnë karriget.
“Pak është ngutur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit pasi mungojnë ulëset që janë elementare pasi nxënësit nuk kanë ku të ulen, ku të mësojnë. Sallat e arsimtarëve, laboratorëve janë më mungesës së inventarëve”, ka thënë ai.
Ministria e Arsimit nuk sqaroi pse ka organizuar përurim të objektit të pakompletuar. Në një përgjigje që kjo ministri ia ka dhënë KOHËS, thuhet se shkolla do të pajiset me karrige gjatë javës së ardhshme.
“E vetmja mungesë e inventarit në objektin e shkollës në Dragobil, janë karriget. Operatori i përcaktuar nga AQP (Autoriteti Qendror i Prokurimit) ende nuk i ka distribuuar karriget dhe besojmë që deri në fund të javës së ardhshme ky proces do të përfundojë”, është thënë në përgjigje.
Ministria e Arsimit u akuzua edhe nga Komuna e Vitisë për tentim të përurimit të objekteve të papërfunduara.
Ministria paralajmëroi se do ta përurojë të mërkurën objektin e ri të shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran dhe shkollën e adaptuar në çerdhe në fshatin Drobesh. Por gjatë ditës, këto aktivitete u anuluan.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se objektet nuk janë kompletuar për t’u përuruar.
“Për shkak të zgjedhjeve është nxituar Nagavci, por ndoshta edhe dikush e ka keqinformuar. Në shkollën në Pozhoran ende nuk janë përfunduar punimet, ndërsa për çerdhe ende nuk janë vendosur inventarët, nuk është rregulluar kuzhina, e as nuk është rekrutuar stafi”, ka thënë Haliti për KOHËN.
Në Ministri kanë thënë se çerdhja në Drobesh është e gatshme për inaugurim.
“Sipas Ligjit të ri të prokurimit, pranim teknik klasik nuk ka më nga ana e investitorit. Këtë e bën Komuna. Investitori i kësaj çerdheje (në këtë rast MASHTI) i dorëzon Komunës ose DKA-së së komunës përkatëse, certifikimin e përfundimit të punimeve me ç’rast përfundojnë obligimet e investitorit. Pikërisht kjo ka ndodhur në Drobesh dhe ajo çerdhe mund të inaugurohet nga dita e sotme”, është thënë në përgjigjen e Ministrisë.
E zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi, pranoi se ka pasur vërejtje për objektin në Pozhoran. Por sipas tij komisioni vlerësues ka konstatuar se procesi mësimor mund të fillojë, e korrigjimet të realizohen deri në fund të javës.
“Me gjithë vështirësitë dhe pengesat e llojllojshme, tani më kjo shkollë është e gatshme, dhe komisioni vlerësues kishte konstatuar që me gjithë vërejtjet e vogla që ishin konstatuar, mësimi mund të fillonte, ndërkohë korrigjimet e kërkuara do të bëheshin deri në fund të kësaj jave”, ka thënë ai në një postim në Facebook.
Ademi akuzoi Halitin për bojkotim të organizimeve përuruese me qëllim përfitimi në fushatën zgjedhore.
“Kjo do duhej të ishte një ditë feste për nxënësit, mësimdhënësit dhe qytetarët pozhoranas. Por, kjo festë u prish sot nga kryetari i Komunës”, ka shkruar ai. “Me të marrë njoftimin nga ne, ai në vend se të fillonte përgatitjet për ceremoninë e përurimit, kishte mbledhur një grup politik dhe kishte marrë vendim që mësimi të vazhdonte në shkollën e vjetër ashtu si më parë, dhe që të bojkotohej përurimi i shkollës. Sigurisht që ky është një vendim politik, për qëllime të fushatës elektorale, dhe i pabazuar në gjendjen reale të objektit të ri të shkollës”.
Shkolla në Pozhoran ka filluar të ndërtohet që nga viti 2016 nga Ministria e Administratës Publike, e cila në këtë mandat është fuzionuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
KOHA pati raportuar se Ministria pati shkëputur kontratën me operatorin kontraktues në vitin 2022 për shkak të mosrespektimit të afateve. E pastaj procesi është zvarritur për shkak të keqplanifikimit të Ministrisë me kriteret në tender.
Për shkak të mungesës se hapësirave, tash e gjashtë vjet nxënësit mbajnë orë mësimi nga 20 deri 25 minuta.
Në të njëjtin objekt e zhvillojnë procesin mësimor nxënësit e shkollës “Halil Alidema” dhe gjimnazistët nga “Kongresi i Manastirit”.