Kompania Rajonale e Ujësjellësit, “Mitrovica”, të shtunën ka njoftuar se furnizimi me ujë nëpërmjet kanalit të “Ibër-Lepencit” është kthyer në normalitet.
Në njoftim, kjo kompani ka thënë se uji ende nuk mund të përdoret për pije.
Deri në raportin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, uji duhet të përdoret vetëm për higjienë.
“Ju njoftojmë se furnizimi me ujë të papërpunuar nga kanali “Ibër Lepenac” është stabil, andaj furnizimi me ujë për konsumatorët është kthyer në normalitet. Kjo do të thotë se ne kemi anuluar kufizimet e ujit që kemi vendosur më parë. Vini re: Uji, ende të mos përdoret për pije deri në raportin e IKSHPK-së. I njëjti të përdoret vetëm për higjienë”, thuhet në njoftim.
Më 29 nëntor, një sulm me 15 kilogramë eksplozivë shkaktoi shpërthim të madh në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin institucionet e Kosovës e kanë fajësuar direkt Serbinë. Ndërkombëtarët gjithashtu kanë dënuar sulmin, duke kërkuar që autorët të nxirren para drejtësisë.
Për shpërthimin deri tash janë dy serbë në paraburgim.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë një interviste me "Zërin e Amerikës" të premten ka thënë se kanë dëshmi komunikimet që kanë ndodhur para dhe ndoshta pas shpërthimit, por nuk ka dhënë detaje të tjera.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Pas shpërthimit, ka pasur reduktime të ujit në qytete të ndryshme.