Arbëri

Fuqizimi i vendimmarrjes së qytetarit

Pushteti i kryetarëve të komunave, nga tash e tutje, do të lëkundet edhe nga ata që ia dhanë atë - qytetarët.

Në mënyrën e njëjtë se si erdhën në detyrë, udhëheqësit e pushtetit lokal do të mund edhe të largohen.

Udhëzimi Administrativ për largimin e kryetarëve nga funksioni, i hartuar vitin e shkuar, ka përcaktuar procedurat, e një proces të tillë për herë të parë u iniciua nga qytetarët serbë të katër komunave në veri.

Faza e parë e tij, ajo e mbledhjes së nënshkrimeve të nevojshme, u kalua me sukses, por votimi për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri dështoi.

E dështoi, pothuajse pa u nisur mirë, pas paralajmërimit për bojkot nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

Mekanizmi i ofruar për qytetarët, që ashtu siç zgjodhën një udhëheqës komunal edhe ta shkarkojnë, është duke u konsideruar mundësi e mirë.

“Ka qenë pothuajse i vetmi figurë publike, kryetari i komunës, i cili kur të zgjidhet nuk ka asnjë metodë tjetër për largimin e tij përpos metodave të parapara, me opsionet e parapara: vdekja, marrja e pozitës së re, dënimi me gjashtë muaj e më shumë burgim. Kjo është një mundësi shtesë në dorën e qytetarit, por në të njëjtën kohë është një mundësi që kryetari duhet të ketë parasysh për faktin se qytetari që e ka zgjedhur kryetar komune mund të kërkojë edhe largimin nga funksioni”, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Meqenëse sot e kemi një situatë tjetër për shkak se është e përcaktuar tashmë se si mund të jetësohen iniciativat qytetarëve, unë mendoj se kjo do të ndikojë pozitivisht në qeverisjen lokale në përgjithësi dhe në qeverisjen e kryetarëve të komunave duke pas parasysh tash ekziston një mekanizëm i cili e mban në një farë formë në mënyrë më të drejtpërdrejtë llogaridhënës kryetarin”, është shprehur Albulena Nrecaj, drejtoreshë e INPO-s.

“Mund të themi lirisht që ky udhëzim administrativ është njëfarë sinjali për kryetarët e komunave që mos ta ndiejnë atë rahatinë që e kanë ndie deri tash. Megjithatë, është me rëndësi me theksu, për shkak se baza ligjore e qeverisjes lokale në Kosovë edhe ma herët ka ndërtu mekanizma të demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet ligjit për vetëqeverisje lokale”, ka thënë Sadri Rrmoku, koordinator i programit KLGI.

Nismë për shkarkimin e kryetarëve nuk është iniciuar më parë në Kosovë. Një mundësi e tillë është ofruar edhe më herët me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, por që deri në shtator të vitit të shkuar nuk ishte e përcaktuar se si mund të iniciohej një gjë e tillë, e as se cila do të ishte mbarëvajtja.

Në Asociacionin e Komunave të Kosovës kanë thënë se me procesin për largimin e kryetarëve, qytetarët përfshihen shumë më fuqishëm në vendimmarrje.

Megjithëkëtë, drejtori i Asociacionit, Sazan Ibrahimi, ka thënë se iniciatorët e largimit të kryetarëve të komunave duhet t’i llogarisin mirë rezultatet e nismës.

“Nëse dikush mendon që të largohen kryetari i cili është i zgjedhur drejtpërdrejt me votën e qytetarit përmes procedurave të tilla atëherë duhet të kalkulojnë më mirë. Janë disa kushte apo parakushte derisa të fillohet procesi. Në fillim duhet të mblidhen 20 për qind e qytetarëve nga lista zgjedhore dhe pastaj edhe të `adresohet në institucione të tjera dhe në fund të kemi një mini referendum kushtimisht të them sa i përket largimit të kryetarit, se është 50 për qind plus një votë nga qytetarët që janë në lista zgjedhore”, ka thënë Ibrahimi.

Konteksti politik i funksionimit në katër komunat në veri shihet si arsye e dështimit të nismës për largimin e kryetarëve të partive shqiptare.

Por suksesi i nismave të tilla nuk konsiderohet i pamundur në komunat e tjera të Kosovës, të banuara me serbë e shqiptarë. 

Përmbyllja e nismës me zgjedhje të jashtëzakonshme në komunën ku iniciohet largimi i kryetarit, sipas njohësve të qeverisjes lokale, varet nga disa aspekte.

Sipas Albulena Nrecajt, drejtoreshë ekzekutive në Iniciativën për Progres-INPO, arsyeshmëria e kërkesës për shkarkim e përkrahja e qytetarëve është jetike për iniciativën.

“Fillimisht si iniciativë me 20 për qind të përkrahjes së iniciativës dhe kjo mundet me u jetësu vetëm nëse qytetarët e besojnë ose e përkrahin kauzën mbi bazën e të cilit është organizuar peticioni... Sa i përket organizimeve teknike atëherë janë çështje tjera ato por më shumë është e mundur që të ndodhë në komunat me shumicë shqiptare. Edhe në komunat me shumicë serbe nëse kemi një kontekst tjetër politik, nëse kemi një konteksti tjetër zhvillimor, një integrim le të themi të komunitetit serb në jetën publike institucionale bazuar në legjislacionin e Kosovës atëherë edhe atje mund të presim që mund të ketë ndryshime të caktuara pro ose kontra një iniciative të tillë”, ka thënë Nrecaj.

Sfidë për iniciatorët, sipas Sadri Rrmokut, koordinator i programit në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale, mund të jetë arritja e përqindjes së nevojshme që nisma të çojë në shkarkimin e kryetarit.

“Mendoj që më shumë ka elemente pozitive se sa negative përkundër vështirësive që munden me pas në proces qysh ishte edhe ky i fundit i cili mund të konsiderohet se ka dështu për shkak të numrit të vogël të qytetarëve që kanë marrë pjesë në proces, mirëpo e dijmë që janë të veçanta për nga natyra komunat veriore dhe nuk mund të themi se e njëjta mund të ndodhë nëse një ditë do të kemi një iniciativë të tillë në komunat e tjera”, ka thënë Rrmoku.

Por përqindja prej më shumë se gjysma e qytetarëve votues, sipas Elbert Krasniqit, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, është parim i njëjtë si në rastin e zgjedhjes së kryetarit. 

“Opsioni për largimin e kryetarit përmes peticionit ka qenë si instrument më demokratik që e ka një qytetar ose një grup i qytetarëve në dorën e tij për të kontrolluar kryetarin, për ti treguar kryetarit që ju jeni zgjedhur me votën e qytetarëve mirëpo edhe mund të largoheni me votën e qytetarëve”, është shprehur ministri Krasniqi.

Në katër komunat në veri të Kosovës, sipas listës së miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për votimin e 21 prillit ishin 46 mijë e 566 qytetarë me të drejtë vote.

Por, ky numër është konsideruar joreal në raport me numrin e banorëve të Leposaviqit, Zubin-Potokut, Zveçanit e Mitrovicës së Veriut.

Në shoqërinë civile, por edhe në ekzekutiv, pastrimi i listës së votuesve vlerësohet determinues në suksesin e nismave për shkarkimin e kryetarëve në të ardhmen.

“Proceset zgjedhore në Kosovë të cilët ne i kemi kaluar shpesh herë themi se nuk ka pasur pjesëmarrje të madhe në zgjedhje ose rreth 40-50 përqind vetëm të votuesve ka marrë pjesë mirëpo nëse ato lista pastrohen ose nëse e shohim që qytetarët rezidentë sa kanë votuar në Kosovë e shohim që diku rreth 90 përqind është pjesëmarrja e qytetarëve rezident në Republikën e Kosovës të cilët marrin pjesë në zgjedhje”, ka thënë Nrecaj.

“Për t’u garantuar funksionalizimi edhe implementimi i plotë i iniciativave duke u bazuar në këtë udhëzim administrativ duhet domosdoshmërisht të pastrohen listat zgjedhore në dy segmente. E para të pastrohen prej personave të cilët nuk jetojnë më e të cilët figurojnë në listat zgjedhore dhe e dyta të bëhet diferencimi në mes të banorëve rezidentë dhe jo rezidentë të cilët gjinden aktualisht dhe ende në listat zgjedhore”, ka deklaruar Rrmoku.

“Besoj që edhe regjistrimi i popullsisë që në këto momente është duke ndodhur në Kosovë na krijon një pasqyrë të re se cila është gjendja në së cilën komunë dhe pastaj  në bazë të kësaj edhe listat votuese duhet të shqyrtohen, rishqyrtohen dhe të pastrohen nëse ka raste të tilla”, ka thënë ministri Krasniqi.

Por, sa janë qytetarët të gatshëm që të nisin me iniciativat për shkarkimin e kryetarëve të komunave përkatëse?

“Mendoj dhe dua të besoj që kemi një shoqëri civile, një aktivizëm qytetar shumë të fuqishëm dhe po besoj që guximi nuk mungon, mirëpo janë kriteret ligjore të cilat parashihen se si mund të ndërmerret një iniciativë e tillë”, ka thënë drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.

“Vërejmë që për çdo ditë qytetari është më i vetëdijshëm për mekanizmat ligjor të cilët i ka në dispozicion për të kërkuar llogaridhënie apo për të kërkuar jetësimin apo realizimin e të drejtave të tij themelore, qytetare e të tjera. Por kemi vërejtur edhe një aspekt tjetër qe qytetari heziton apo le të themi ngurron të ndërmarrë iniciativa për të cilat e din se rezultati nuk mund të arrihet”, është shprehur Nrecaj e INPO-s.

“Janë disa elemente ose disa faktorë që janë ndikuar edhe që po ndikojnë  që qytetarët po hezitojnë me marrë pjesë pse me shfrytëzuar të drejtën e tyre ose me i shfrytëzu këto mekanizma që ligji ua ka jep për të ndikuar në hartimin e politikave. E para ka të bëjë me kulturën politike me të cilën na jetojmë ku njerëzit e shohin të vetmen të drejtë për ta shfrytëzuar-zgjedhjet edhe pasivizohen në njëfarë forme për të marrë pjesë në jetën politike. E dyta është niveli i ulët i vetëdijes së qytetarëve për me ndie pronësi ndaj publikes, ndaj asaj që është publike”, ka thënë Rrmoku i KLGI-së.

Me gjithë mundësinë e ofruar, ka edhe kufizime në këto nisma.

Sipas Udhëzimit Administrativ, për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, nëse në votim nuk votojnë pro 50 për qind e trupës elektorale plus një votues, një  gjë e tillë nuk mund të ndërmerret para se të bëhet një vit nga dita e konstatimit përfundimtar për dështimin.