Arbëri

Fundi i targave ilegale

Në asnjë automjet me targa ilegale nuk ka hasur Policia e Kosovës, gjatë patrullimeve të kryera nëpër rrugët e katër komunave veriore, një ditë pas përfundimit të afatit për t’i regjistruar ato me tabela RKS. Ngasësve të automjeteve me targa ilegale do t’u shqiptohen vërejtje deri të hënën, e nga kjo ditë do të nisin gjobat e më pas edhe konfiskimi i automjeteve

Asnjë automjet në qarkullim me targa ilegale të Serbisë, nuk është parë të shtunën në veri. Për herë të parë paslufte, policia është autorizuar të ndërmarrë masa ndaj automjeteve që në rrugë me do të shihen targa të paligjshme, e që mbajnë shkurtesa të qyteteve të Kosovës, si KM, PR, PZ, DE, UR e të tjera.

Një ditë pas skadimit të afatit të fundit për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, Policia ka shtuar patrullimet nëpër rrugët e katër komunave veriore, të banuara kryesisht me serbë.

Që nga e shtuna, nis shqiptimi i vërejtjeve për shoferët që kapen duke drejtuar vetura që nuk janë me targa të ligjshme. Por gjatë patrullimeve në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq dhe në Zveçan, Policia nuk hasi në të tilla që janë lëshuar nga Serbia e që kanë akronime të qyteteve të Kosovës.

Policë të pajisur edhe me kamera trupore shqiptuan gjoba për kundërvajtje tjera në trafik.

Nga e hëna, për çdo shofer që nuk e ka bërë riregjistrimin e veturës, do të nisë shqiptimi i gjobave, ndërkaq më pas do të bëhet edhe konfiskimi i automjeteve.

Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, ka theksuar se me nisjen e patrullimeve për verifikim të targave, që prej të shtunës katër komunat veriore do të trajtohen si komunat e tjera të Kosovës.

“Sot është dita e parë pas kalimit të afatit për konvertim të targave. Targat KM, PR, GL dhe të tjera, nga sot trajtohen si targa me afat të skaduar dhe automjeti po ashtu trajtohet si i tillë. Sa i përket këtij fenomeni, rajoni i veriut trajtohet nga sot e tutje sikur të gjitha rajonet e tjera, e që do të thotë se polici në rrugë e vendos që të japë vërejtje, të shqiptojë gjobë apo të konfiskojë veturë”, ka thënë Elshani.

Qarkullimi i veturave me targa të tilla është toleruar deri më tani në veri, ndërsa në zonat e banuara nga serbët në jug të Ibrit, ato janë larguar nga përdorimi më shumë se dhjetë vjet më parë.

Sipas përllogaritjeve të sektorit civil serb, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ka pasur rreth 10 mijë vetura me targa KM.

E, deri të premten, kur përfundoi afati i dytë i vendosur nga Qeveria, në RKS janë riregjistruar rreth 4 mijë e 200 vetura.

Disa nga qytetarët në veri që i konvertuan targat, të shtunën shprehën pikëpamje për veprimin e ndërmarrë.

“Qysh na thonë, kushdo që komandon, ashtu po bëjmë”, ka thënë një nga qytetarët serbë.

“E kemi regjistruar veturën në targa shqiptare. Kur ishin targat serbe, ato nuk ishin targa serbe, por kosovare. Me KM, PR apo Prishtina, pra, këto ishin targa kosovare, nuk ishin të Serbisë. E këtë pune dikush e ka”, ka thënë një tjetër.

Afati për konvertimin e targave do të duhej të përfundonte më 1 dhjetor, por Qeveria e ka zgjatur edhe për 15 ditë, pasi ishin vërejtur radhë të gjata të qytetarëve të interesuara para qendrave për riregjistrim.

Para këtij, ka pasur shtyrje të tjera.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të automjeteve me targa ilegale serbe në RKS, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor të vitit të shkuar.

Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill të sivjetmë, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Më 22 nëntor të vitit të shkuar, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Qeveria e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Bisedimet rezultuan me marrëveshje. Kosova pezulloi planin, e Serbia nuk lëshoi më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

E, gjatë kohës sa vendimi i qeverisë u kundërshtua, përpos që serbët braktisën institucionet qendrore dhe lokale, ata vendosën barrikada dhe grupe të organizuara dogjën vetura që konvertonin targat, si dhe sulmonin me granata policinë dhe institucione të tjera.

Tensionet kulmuan pas zgjedhjeve në të katër komunat në veri, e që u bojkotuan nga serbët. Ndërkaq, Kosova u përball edhe me agresion, pas sulmit të armatosur në Banjskë.