Arbëri

“Ftyra jem s’është nderi yt”

“E ka lypë”/“S’vran kërkush pa faj”/“Ni zor i madh e ka shti atë se për turlifarë k*rve nuk shkon n’burg njeri”, janë disa prej komenteve të burrave në rrjetet sociale, shkëputur pas lajmeve për vrasjen e grave e që në “Ftyra jem s’është nderi yt”, lexohen nga njëra prej studenteve të Departamentit të gazetarisë të UP-së. “Këto janë disa prej komenteve seksiste që ne i shohim duke i arsyetu përdhunuesit, abuzuesit e vrasësit”, thuhet në kampanjën sensibilizuese që mbyllet me fjalët: “Ama qeto, unë më nuk po du m’i ngu se nuk jam dalë qetu për m’u viktimizu, ama ty me t’kallxu që barabar duhesh me m’trajtu”

Një 34-vjeçare ka ndërruar jetë sot në....

Mëngjesin e së dielës, Sebahate Sopi gjeti vdekjen vetëm pak metra më larg....

... dyshohet burri i saj, Lulzim Sopi.

.... mbeti e vrarë në Prizren pikërisht nga bashkëshorti i saj...

... pasi ia mori jetën pikërisht bashkëshorti i saj.

Këto janë pjesë të fjalive të shkëputura nga kronikat e zeza televizive që dokumentojnë vrasjet e grave nga burrat, por që janë bërë bashkë në një video prej dy minutash e 36 sekondash të studenteve – tashmë të diplomuarave - të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Suada Qorraj, Jehona Hyseni, Gresa Nitaj, Marigona Bajrami dhe Rinesa Qorri.

“...burri është burrë e krejt i arsyetohen”

“E ka lypë”/“S’vranë kërkush pa faj”/“Ni zor i madh e ka shti atë se për turlifarë k*rve nuk shkon n’burg njeri”, janë disa prej komenteve të burrave në rrjetet sociale, shkëputur pas lajmeve për vrasjen e grave e që lexohen nga njëra prej studenteve të kampanjës “Ftyra jem, s’është nderi yt”.

“Viktima ka faj se burri është burrë e krejt i arsyetohen”, komenton një tjetër burrë.

“Këto janë disa prej komenteve seksiste që ne i shohim duke i arsyetu përdhunuesit, abuzuesit e vrasësit”, thotë njëra prej studenteve në spotin sensibilizues.

Ligjëruesja e lëndës “Marrëdhënie me publikun II”, Remzie Shahini-Hoxhaj, thotë se vazhdimisht i inkurajon studentët që në kuadër të detyrave të trajtojnë tema që duhet të trajtohen nga shoqëria.

“Mendoj se secili prej nesh duhet ta dijë se cili është kontributi, ose cila është forma më e mirë që t’i kontribuojmë vendit tonë”, thekson Shahini-Hoxhaj. “Dhe mundohem t’i promovoj temat që në shoqërinë tonë nuk diskutohen shumë shpesh, dhe pothuajse janë edhe tabu”.

Rasti i javës së kaluar i vrasjes së 18-vjeçares Marigona Osmani nga bashkëshorti Dardan Krivaqa dhe shoku i tij, Arbër Sejdiu, në Ferizaj, ka alarmuar edhe njëherë për dhunën vdekjeprurëse, me të cilën po përballen shumë gra në Kosovë.

Organizatat për të drejtat e njeriut, veçmas ato për mbrojtjen e të drejtave të grave, thonë se vrasja e grave duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare nga institucionet e Kosovës.

“...një rast tjetër i femicidit në Kosovë”

Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë se vrasja e fundit në Ferizaj, është edhe “një rast tjetër i femicidit në Kosovë”.

“Edhe një rast tjetër i vrasjes së grave, që u bëhet atyre pikërisht për shkak se ato janë gra”, thekson ajo, duke kërkuar që të mos trajtohet si rast i izoluar. Ajo akuzon institucionet se po neglizhojnë rastet e dhunës ndaj grave, duke “thelluar këtë mendësi patriarkale që në fund të ditës, po i vret gratë”.

Vetëm gjatë ditës së martë, 7 burra të dyshuar për dhunë janë dërguar në mbajtje. Sipas raportit të Policisë Kosovës, shumica e tyre dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike e fizike ndaj grave. E raportimet e tilla të dhunës në familje janë shpeshtuar kohët e fundit.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2020 bëhet e ditur se janë vrarë shtatë gra, e sivjet dy.

Institucionet kritikohen vazhdimisht se nuk po i marrin seriozisht raportimet e grave për dhunë fizike. Madje, as atëherë kur dhunuesit janë burra me të kaluar kriminale, sikurse njëri prej të dyshuarve në rastin e Marigonës ndaj të cilit është zvarritur qe shtatë vjet gjykimi për tentim-vrasje.

Fuqia e zakonit, më e madhe se e ligjit

Saranda Ramaj, gazetare që mbulon drejtësinë në Grupin KOHA, thotë se prej hallkës së parë, Policisë së Kosovës, nuk merren seriozisht raportimet për dhunë në familje.

“Pastaj në prokurori me aktakuzë të mangëta e në gjykatë me dënime jomeritore pikërisht për shkak të sistemit të drejtësisë dhe të dështimeve të këtij sistemi”, thekson ajo.

Gazetarja Ramaj thotë se policia dhe prokuroria u kërkojnë grave që i denoncojnë burrat dhunues që të provojnë edhe një kohë të mbajnë lidhjen martesore, pavarësisht rrezikut se mund të jenë viktima potenciale të burrave të dhunshëm.

Forca e zakonit shpesh është më e madhe se ajo e ligjit, që garanton barazi gjinore.

Leonida Molliqaj, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion, thotë se edhe në një hulumtim të organizatës janë nxjerrë të dhëna që diskriminimi gjinor ndaj grave spikatet qysh në fëmijëri kur të vajzat shprehin, ta zëmë dëshirën, që të bëhen aktore.

“Ende, aktrimi ende shihet si një profesion që nuk është i përshtatshëm për sytë dhe veshët e prindërve tanë dhe rrethit tonë shoqëror e familjar”, thekson Molliqaj.

“Ne si shoqëri jemi fundamentalisht patriarkale dhe nuk besojmë në subjektivitetin e grave”, deklaron Sijarina, duke shtuar se rrjedhimisht gratë shihen ndryshe edhe nga institucionet, edhe nga shoqëria.

“Normalizimi” shoqëror i dhunës

Në hulumtimin e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore për perceptimet e qytetarëve mbi barazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore, publikuar në maj të këtij viti, thuhet se është vërtetuar se rolet e ndryshme gjinore që bëhen norma brenda një shoqërie dhe atributet përkatëse të lidhura me këto role janë kontribuues në pabarazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore.

“Ky sistem e ka kufizuar në mendjen e çdo gruaje lirinë që mos me i gëzu të drejtat e njeriut...”, thekson njëra prej studenteve të kampanjës “Ftyra jem, s’është nderi yt”.

Po aty thuhet se në shumicën e shoqërive, ka pritshmëri të ndryshme shoqërore ndaj burrave, të cilët shpesh shihen si të ashpër, shtylla e familjes, kryefamiljarë, agresivë, ndër të tjera dhe ndaj grave, që shpesh shihen si të nënshtruara, mbështetëse, të buta dhe kujdestare.

Më shqetësuesja e shifrave të perceptimeve është se gati një e treta e qytetarëve kosovarë pajtohen se burrat janë të dhunshëm nga natyra dhe më shumë se një e dhjeta e qytetarëve kosovarë pajtohen që gruaja duhet të durojë dhunën për të mbajtur familjen e saj së bashku.

“A nuk është ba boll me arsyetimin se duhet me duru, se ka duru nana jem, gjyshja dhe kushdo tjetër para meje se dy gisht ftyrë t’shpisë teme mbesin n’mu”, thotë studentja tjetër e kampanjës “Ftyra jem s’është nderi yt”.

Vetëm 20 për qind e grave në Kosovë janë pjesë e tregut të punës. Aktivistet për të drejtat e njeriut thonë se mungesa e pavarësisë ekonomike të grave ndikon në ngritjen e shkallës së dhunës së burrave ndaj tyre.

“Ne e dimë që gratë janë përgjithësisht të papuna, nuk trashëgojnë pronë, janë të varura prej familjes, nuk përkrahen në profesione që nuk shihen si të përshtatshme për to”, thekson Molliqaj.

Arrita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tregon se në Qendrën për ndihmë juridike falas që ofrojnë, janë shtuar raportimet e grave për dhunë nga bashkëshortët. Por, sipas saj, shumica prej tyre tregojnë se nuk po gjejnë përkrahje nga institucionet përgjegjëse.

Edhe në institucionin e Avokatit të Popullit thonë se duhet të rritet serioziteti i institucioneve në Kosovë, ndërsa paralajmërojnë edhe hetim për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj, ashtu siç kishin bërë edhe në raste të tjera.

Aktivistet dhe gazetaret thonë se institucionet duhet ta kenë prioritet trajtimin e dhunës në familje, me qëllim që të mos reagohet vetëm pas rasteve fatale, sikurse ai i Marigona Osmanit në Ferizaj.

Sot, shumë organizata po përpiqen t’i ndihmojnë shoqëritë të riformësojnë rolet gjinore dhe të krijojnë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që të arrijnë potencialin e tyre pa barrën e pritjeve shoqërore.

Gjuha seksiste në muzikë e media

Liridona Sijarinën e shqetëson shumë fakti që shumëkush po e quan si normalizim gjuhën seksiste në Kosovë, sidomos ajo që po dëgjohet në muzikë e media.

“Dhuna ndaj grave veç nxitet dhe normalizohet prej kanaleve dhe industrive të ndryshme, siç është ajo e muzikës, edhe e kinematografisë në disa raste, e që është e ndikuar komplet, po them, përtej komercializmit dhe kapitalizmit, e që në këtë pjesë bën pjesë edhe media si një, po themi, fushë e tërë që shpesh vihet në shërbim të abuzimit të grave”, thekson ajo.

Edhe Shahini-Hoxhaj, ligjëruesja universitare, mendon se mediat kanë rol kritik për të mobilizuar shoqërinë për të ndryshuar qasjen e burrave ndaj grave.

“Mediat janë promovuesi kyç ose emancipuesi kryesor i një shoqërie, andaj ne duhet të bëjmë çmos që të promovojmë çështje të caktuara, të ndryshojmë diskursin shoqëror, i cili ka filluar të krijohet në Kosovë”, thekson Shahini-Hoxhaj. “Unë nuk mendoj se fillon vetëm me edukimin e burrave, qysh shumë shpesh po parafrazohet, unë mendoj se shoqëria si e tërë duhet të emancipohet, domethënë të edukohet vajzat, edhe djemtë, por edhe e gjithë shoqëria në përgjithësi”, thekson ajo.

Shahini-Hoxhaj thotë se bashkë me studentë ka analizuar tekste të këngëve të zhanreve të ndryshme që promovojnë gjuhë seksiste. “Vitin e kaluar, studentët e mi e kanë realizuar një kampanjë kundër këtyre teksteve dhe mund ta shihni për shembull se jo vetëm burrat e promovojnë një gjuhë të tillë, por edhe gratë këngëtare kanë gjuhë të tillë që e promovojnë përmes këngëve të tyre, duke filluar prej muzikës popullore deri te këto pop e argëtuese çfarë janë”, thekson ajo, duke u bërë thirrje mediave që t’i transmetojnë kampanjat e studentëve, sidomos ato që promovojnë e sensibilizojnë të drejtat e grave.

“Hise e babës, hise e burrit. N’shpi t’hujë je rritë e në shpi t’hujë ki me shku”, thotë studentja tjetër në pjesën e fundit të video-kampanjës, duke e mbyllur me fjalët: “Ama qeto, unë më nuk po du m’i ngu se nuk jam dalë qetu për m’u viktimizu, ama ty me t’kallxu që barabar duhesh me m’trajtu”.

Legjenda: Rasti i javës së kaluar i vrasjes së 18-vjeçares Marigona Osmani nga bashkëshorti Dardan Krivaqa dhe shoku i tij, Arbër Sejdiu, në Ferizaj, ka alarmuar edhe njëherë për dhunën vdekjeprurëse, me të cilën po përballen shumë gra në Kosovë.

Organizatat për të drejtat e njeriut, veçmas ato për mbrojtjen e të drejtave të grave, thonë se vrasja e grave duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare nga institucionet e Kosovës.