Arbëri

FSK-së i shtohen 16 oficerë të rinj, Maqedonci: Jemi rrugës për t’u bërë me ushtri profesionale

Oficerë të FSK-së

Foto: KP

Sot në kazermën “Adem Jashari” diplomuan 16 oficerë të rinj të gjeneratës së vitit 2024 të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka folur për investimet që janë bërë në ushtri. 

“Më rritjen në 2 për qind të GDP-së të Bruto Produktit vendor të ndarë për ushtrinë me mbi 200 milionë investime në këto 3 vitet e fundit dhe mbi 1800 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar. Ushtria e Kosovës me hapa të shpejtë po ecën drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale dhe multi-etnike. Ëndrrën e të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë sot po e jetësoni ju kadetë. Me diplomimin tuaj si oficerë po ndërtoni shtylla të rëndësishme të ushtrisë, andaj nuk kam se si ta fshehë krenarinë që ndjej për ju”, ka deklaruar Maqedonci, raporton KP

Në këtë ceremoni, shpërblimi “Kadet i dalluar në rrugëtimin 4-vjeçar” iu nda, Atdhe Ahmetit, i cili në emër të klasës 2024, ka deklaruar se janë falënderues ndaj familjes dhe instruktorëve të cilët ngjallen një shpirt luftarak te kadetët që të ngritin vlera ushtarake.

“Në çdo hap të rrugëtimit tonë ne ishim krah i fort i njëri tjetrit, bashkë gjithçka ka qenë e arritshme, miqësia dhe besnikëria që ne kemi krijuar gjatë këtyre 4 viteve na bëjnë të pathyeshëm përball çdo vështirësie. Le të kujtojmë se forca më e madhe për ne është dashuria për atdheun. Ky vend pati burra e gra që kur pati më së shumti nevojë i dolën Zot, e atyre ne u jemi gjithmonë mirënjohës“, ka deklaruar ai.