Arbëri

FSK-ja furnizohet me “Barret” dhe “Steiner” amerikane

Kryeministri Albin Kurti ka postuar një video në Facebook, me armatimin e këmbësorisë që ka mbërritur së fundi. Ai tha se me blerjet e tilla të armatimit modern përmbushet qëllimi për një Kosovë paqësore e të sigurt, ku kushtetutshmëria dhe sovraniteti shtetëror nuk cenohen asnjëherë. Derisa nuk u bë e ditur se cilat armë janë blerë, logot në armët që shihen në videon e postuar nga kryeministri janë “Barret” dhe “Steiner”

Një depo e armatimit e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) është furnizuar me armë e municione të këmbësorisë. 

Për armët moderne që mbërritën në Kosovë, 10 muaj pas porosisë, foli kryeministri Albin Kurti, i cili nëpërmjet një videoje që ka publikuar, tha se janë armë moderne që i kontribuojnë realizimit të qëllimit të ekzekutivit për Kosovë paqësore e sovrane.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në këtë mënyrë e përmbush vizionin e saj, qëllimin tonë të përbashkët, për një Kosovë paqësore, të sigurt ku kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial nuk arrijnë të cenohen asnjëherë nga askush”, ka thënë kryeministri Kurti. 

Ai ka theksuar se jo i gjithë materiali ushtarak që ka arritur në Kosovë, shihet në videon e publikuar meqë mediat nuk u ftuan ta përcjellin ngjarjen.

“Ato që duken si tavolina për këtë armatim modern, në fakt, janë arka municioni”, ka theksuar ai. 
Derisa nuk u bë e ditur se cilat armë janë blerë, logot në armët që shihen në videon e postuar nga kryeministri “Barret” dhe “Steiner” janë të prodhuesve amerikanë.

Krahas Shteteve të Bashkuara, partneret kryesore të Kosovës për rritjen e kapaciteteve të armatimit janë edhe Turqia, Gjermania, Britania, Italia dhe Kroacia. 

Shtimi i buxhetit të FSK-së sa i takon armatimit dhe blerjet e sistemit të armëve kanë qenë vazhdimisht temë e promovuar nga Qeveria sivjet. 

Sivjet, buxheti i FSK-së ka qenë 153 milionë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm, në bazë të projektligjit për ndarje buxhetore që ka kaluar në lexim të parë në Kuvend, ky buxhet do të jetë 208 milionë euro. 

Në majin e sivjetmë janë lëshuar në qiell për herë të parë dronët “Bayraktar TB-2” të blerë në Turqi, dronë të njëjtë janë përdorur në Ukrainë dhe Nagorno-Karabakh, si për vëzhgim, ashtu edhe për sulm.

E në fillim të këtij viti, Kongresi amerikan ia aprovoi Kosovës blerjen e 246 raketave “Javelin”, pjesë e sistemeve raketore që godasin caqe me drejtim automatik deri në katër kilometra.