Arbëri

Fshehja “diplomatike”: Komunikimi Haradinaj-Thaçi për procesin e gradimit të dy ambasadorëve të rinj

Dy diplomatë kanë marrë gradën ambasador, falë një informate qenësore që ministrja Meliza Haradinaj e kishte fshehur në komunikimin për këtë proces që e kishte me presidentin Hashim Thaçi. Në propozimet e shkruara dërguar në Presidencë, kurrkund nuk kishte treguar se gradën paraprake ata e kishin marrë pak javë përpara se të dekretoheshin.

Fshehja e të dhënave shihet në shkresat që Presidenca ia ka ofruar KOHËS, pas një kërkese për qasje në dokumente publike.

E, pikërisht duke u mbështetur në atë komunikim, në fund të tetorit, Thaçi ka firmosur dekretet, me të cilat Delfin Pllana e Frymësim Isufi janë bërë ambasadorë.

Ka ndodhur kjo, ndonëse Rregullorja e Shërbimit të Jashtëm kërkon që anëtarët e këtij shërbimi, tek pasi të kenë shërbyer një vit në pozita, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për gradim të ri.

Butrint Berisha, i cili për kohë të gjatë ka monitoruar punën e gradave, e ka kritikuar procesin.

Faton Bislimi është deputet i LDK-së që udhëheq me Qeverinë, por i cili është në mesin e të pakënaqurve me punën e kryediplomates Haradinaj. Ndonëse ka theksuar të mos jetë i informuar për gradimin e fundit, a i ka kërkuar që vendimet të merren në përputhje me ligjin.

Në Ministrinë e Jashtme, prej dy ditësh nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS përkitazi me këtë proces gradimi, sikurse nuk janë përgjigjur as ambasadorët më të rinj – Delfin Pllana e Frymëzim Isufi.

Deputeti Bislimi konsideron se është momenti i fundit që Kosova ta rivitalizojë sistemin diplomatik.

Përpara se të bëheshin ambasadorë, Delfin Pllana e Frymëzim Isufi ishin avancuar nga grada “ministër këshilltar” në “ministër”, pa ndjekur kërkesat ligjore për të kaluar nëpër Komisionin e Gradave. Avancimi ishte kontestuar edhe për faktin se ka ndodhur me rekomandimin e vetë Pllanës, i cili ushtron detyrën e drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme.