Arbëri

Fshati me ujësjellës e pa ujë

Fshati Smirë i Vitisë tash e tetë vjet ka rrjet të ujësjellësit, por ai nuk është funksionalizuar kurrë. Banorët ankohen se Komuna nuk po i merr parasysh kërkesat e tyre dhe se po shpenzojnë për blerje të ujit të pijshëm. Në Komunë arsyetohen me mungesë të buxhetit dhe të kapaciteteve të ujit

Qindra familje në Smirë të Vitisë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, ani se nga viti 2016 fshati ka rrjet të ujësjellësit.

Ai ishte ndërtuar nga Komuna në bashkëfinancim me donatorë, por nuk është vënë në funksion asnjëherë.

Banorët janë ankuar se uji i puseve që kanë mund të përdoret vetëm për pastrim dhe ujitje.

“Ka rrjet, por nuk është në funksion, se rrjeti është por nuk e kanë funksionalizuar. Neglizhenca. Çdokush e di atë se uji cilësor është ai që vjen prej ujësjellësit. Shembull, ne e kemi në Letnicë, por nuk e kanë marrë dhe ka mbetur kështu”, ka thënë Ibrahim Mustafa, një nga banorët.

Banori tjetër, Jakup Demiri, i cili është edhe asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Vitisë, ka thënë se shqetësimet e mijëra banorëve për ujin e pijshëm i ka adresuar disa herë në Komunë, por që nuk janë marrë parasysh.

“Ujin në shtëpinë time që e përdorim nuk e përdorim për pije. Duhet me ble për me pi, madje edhe për të zier për gjellë e për ushqim. Kurse këta vetëm për pastrim dhe për ujitje diçka, por jo për pije. Po mendoj se pjesa më e madhe e qytetarëve e blejnë, por disa edhe i mbushin bidonët nëpër kroje që janë të njohur dhe bëjnë për pije”, është shprehur Demiri.

Basri Aliu, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Vitisë, ka thënë se disa fshatra, përfshirë Smirën, kanë mbetur pa furnizim, shkaku i kapaciteteve të pakta të ujit dhe mungesës së buxhetit. Por u zotua se problemi do të zgjidhet shpejt.

“Me ‘Hidromoraven’ Komuna ka përfituar një grant nga Banka Botërore për rritjen e kapaciteteve të ujit, në vlerë mbi dy milionë euro. Komuna ka filluar edhe me procedurat e shpronësimit të tokës që nevojitet për rritjen e kapacitetit të ujit. Gjithashtu është duke u punuar edhe në projektin e Ibër-Lepencit ku përfshihet edhe Vitia”, ka thënë Aliu.

Në kompaninë e ujësjellësit “Hidromorava”, që mbulon edhe Komunën e Vitisë, kanë thënë se janë të gatshëm ta menaxhojnë secilin rrjet të ujësjellësit nëse komuna i përfundon projektet dhe krijon kapacitete për furnizim me ujë të pijshëm.