“E kam parë raportin. Kam qenë i pranishëm kur mjeku kreu ekzaminimin. Personi i vdekur ishte i lidhur në karrige me pranga. Një dorë e kishte të prangosur dhe policia ushtarake më tha ta dokumentoja situatën. Të ndjerit ia hoqën prangat dhe e ekzaminoi mjeku në të gjitha anët e trupit, para dhe pas dhe mjeku pa të nxira dhe lëndime në trup dhe më kujtohet që ka thënë që rrahja apo këto lëndime nuk kanë qenë shkaktar i vdekjes, por ka të ngjarë që të ketë pasur një arrest kardiak që ka shkaktuar vdekjen dhe me shumë të ngjarë ky ishte shkaku i vdekjes së këtij personi”, ka thënë dëshmitari i 64-t i ZPS-së në rastin e Thaçit dhe të tjerëve
Baptist Johan Fritsch, ish-zyrtar për shtyp i misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR – i cili pati zbarkuar në Kosovë pak ditë pas çlirimit, ka përshkruar ngjarjet e 18 dhe 19 qershorit të 1999-s në Prizren, gjatë dëshmisë së tij të enjten para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Dëshmitari i 64-t i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ka thënë se ka dëshmuar rreth një personi, i cili ishte gjetur në ish-objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) në Prizren. Ky objekt, pas përfundimit të luftës në Kosovë, u pati marrë nën kontroll nga Ushtria Çlirimtare (UÇK) dhe aty pretendohet të jenë mbajtur dhe torturuar shqiptarë, serbë dhe romë.
Fritsch ka theksuar se bazuar në një raport të përpiluar nga mjeku ka rezultuar se personi i gjetur nuk ka vdekur si pasojë e rrahjes, por për shkak të një problemi kardiak.
“E kam parë raportin. Kam qenë i pranishëm kur mjeku kreu ekzaminimin. Personi i vdekur ishte i lidhur në karrige me pranga. Një dorë e kishte të prangosur dhe policia ushtarake më tha ta dokumentoja situatën. Të ndjerit ia hoqën prangat dhe e ekzaminoi mjeku në të gjitha anët e trupit, para dhe pas, dhe mjeku pa të nxira dhe lëndime në trup dhe më kujtohet që ka thënë që rrahja apo këto lëndime nuk kanë qenë shkaktar i vdekjes, por ka të ngjarë që të ketë pasur një arrest kardiak që ka shkaktuar vdekjen dhe me shumë të ngjarë ky ishte shkaku i vdekjes së këtij personi”, ka thënë dëshmitari.
Në vazhdim të dëshmisë, Fritsch ka thënë që në ditët e para të zbarkimit në Kosovë, edhe forcat e KFOR-it kanë ndaluar dhe kanë arrestuar njerëz.
Ai është pyetur nga avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, nëse këto ndalime nga KFOR-i janë kryer me urdhër të Gjykatës. E dëshmitari ka theksuar se fillimisht nuk ka pasur institucione gjyqësore dhe se vendimet për ndalim janë marrë nga komandanti i brigadës së trupave të KFOR-it.
“Më sa më kujtohet kështu ka ndodhur me gjithë KFOR-in, sepse nuk kishte autoritete gjyqësore që ishin funksionale apo që mund të vepronin”, ka thënë ai. Fritsch ka theksuar se gjatë kohës që kanë qenë me mision në Prizren, ditëve të para ka parë patrullime të UÇK-së nëpër rrugë.
“Po, gjatë ditëve të para, pasi ne u futëm në vend, domethënë pas datës 13 dhe 14 qershor relativisht për një periudhë të shkurtë i kemi parë këto gjëra”, ka thënë ai. “Kur forcat e KFOR-it u futën në Kosovë, pala jugosllave duhej te tërhiqej, sipas marrëveshjes, nga Kosova brenda pak ditësh. Pra, forcat e KFOR-it po futeshin në Kosovë dhe për një periudhë të shkurtër kohore ekzistoi një lloj vakumi dhe UÇK-ja donte që ta mbushte këtë vakum…”.
Pas Fritschit, dëshminë para Dhomave të Specializuara e ka nisur një dëshmitar i mbrojtur, i cili e ka lexuar betimin në gjuhën shqipe dhe më pas seanca është mbyllur për publikun.
Paraprakisht, prokurorja Alexandra Insinga, i ka bërë një prezantim të shkurtër dëshmitarit, duke thënë se dëshmia e tij është e ndërlidhur me zhdukjen e një familjari.
“Dëshmitari (04710) është i afërm i një viktime që është vrarë dhe zhdukur nga Drenoci. Ai do të përshkruajë se çka ka bërë viktima para se të zhdukej nga Drenoci. Herën e fundit kur e ka parë atë dhe përpjekjet e anëtarëve të familjes për të kuptuar se çfarë i ndodhi këtij personi”, ka thënë Insinga.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka thënë se dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur do të zgjasë një ditë. Një orë janë parashikuar për pyetjet e ZPS-së, ndërsa katër orë e gjysmë për ato të mbrojtjes.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar më 30 shtator të 2022-s aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza që i ngarkojnë ata për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Më 29 prill të 2022-s, ZPS-ja pati dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar, e cila pretendonte se katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. Në paraqitjet e para në Hagë më 9 nëntor të 2020-s, Thaçi e Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Deklarim të njëjtë ka bërë edhe Veseli, në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.