Të martën janë bërë 14 vjet prej kur presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, e kishte prezantuar në Prishtinë dokumentin që përmbante propozimin e tij për statusin e Kosovës. Ishte pavarësi e mbikëqyrur përkohësisht.
Fatmir Sejdiu, që atëkohë ishte president i Kosovës, thotë të mos ketë qenë ky momenti kur për herë të parë e ka mësuar zgjidhjen për statusin, të propozuar nga i dërguari special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Ai tregon kohën kur Ahtisaari pjek bindjen dhe ia kumton Sejdiut.
“Në shtatorin e 2006-s ishim në njërën nga dhomat e hotelit “Milenium” afër Kombeve të Bashkuara. Me gjithë hezitimin që kishte më herët dhe më vonë në sallën e tij, në zyrën e tij në Kombet e Bashkuara e komunikoi drejtpërdrejt se a do të ishte në njëfarë mënyre – pra edhe si lloj konsulte me mua – e pranueshme pavarësia e mbikëqyrur për një periudhë të gjatë kohore”, thotë Sejdiu. “Unë absolutisht nuk kam hezituar, sepse kishim përgatitje paralele edhe në takimet që kishim në nivelet më të larta shtetërore”.
Propozimit i parapriu një proces negociatash Kosovë-Serbi, në Vjenë. E mbi bazën e propozimit të Ahtisaarit, Kosova e shpalli pavarësinë pesë muaj, pasi dokumenti ishte prezantuar në Prishtinë.
Hajredin Kuçi ka qenë i përfshirë në negociata dhe ishte bartës i ekipit për organizimin e shpalljes së Kosovës shtet. Ai përmend të arriturat e procesit.
“Ne kemi qenë të qartë përballë kërkesave tona, që mbi të gjitha ka qenë që të fitohet pavarësia e Kosovës, që të ruhet tërësia territoriale, që të ruhet autoriteti i Prishtinës në tërë territorin e Republikës dhe të mos ketë pushtet të tretë. Dhe unë mendoj që këto kanë qenë të arriturat tona. Në anën tjetër, kemi pasur kompromise që e keni vërejtur në dokumentin Ahtisari”, thotë Kuçi. “Por, kompromiset nuk kanë qenë përballë palës serbe, por ne kemi bërë kompromise duke na u premtuar se dokumenti i tillë duhet të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, çka nuk ndodhi pastaj”.
Lëvizja Vetëvendosje, që atëkohë përbënte një organizatë politike, ishte kundër negociatave e me protesta masive pati kundërshtuar edhe planin Ahtisaari. Ndërkohë, ajo u shndërrua në parti dhe sondazhet e nxjerrin fituese absolute të zgjedhjeve nacionale që do të mbahen më 14 shkurt. Në këtë parti nuk kanë dashur të komentojnë në lidhje me dokumentin Ahtisaari dhe negociatat me Serbinë, që pritet t’i mbyllin brenda mandatit.
Eksponentët e atëhershëm politikë që në këto zgjedhje nuk garojnë për deputetë, thonë se limitet e kompromisit të atëhershëm nuk duhen tejkaluar.
Hajredin Kuçi arsyeton nevojën për këtë limit.
“Nëse fitohet përshtypja që nëse një komunitet, në këtë rast pakica, i mund apo i konsumon të drejtat e shumicës, pastaj nuk do të ketë zgjidhje funksionale dhe pastaj do të detyrohemi të bëjmë një organizim të ri”, thotë ai.
Fatmir Sejdiu, ndërkaq, gjendjen nuk e vlerëson inkurajuese.
“Kemi ardhur në një situatë jashtëzakonisht të ndjeshme, absolutisht, të cilën për ta fundosur më tej besoj që Serbia gjithmonë investon. Keni parasysh zhvillimet me çështjen e njohjeve ndërkombëtare dhe çështjen e mosmundësisë në asocime ndërkombëtare”, thotë ai. “Unë besoj që Kosova do të ketë energji që të dalë nga një gjendje e tillë, e cila praktikisht nuk është shumë inkurajuese”.
Parimet që përmban dokumenti Ahtisaari ishin inkorporuar në Kushtetutë e në ligje të Kosovës, me t’u shpallur pavarësia. Por, një marrëveshje finale me Serbinë ende nuk është mbërritur, meqë Beogradi zyrtar vazhdon të refuzojë që t’ia njohë shtetësinë Kosovës.