Këshilli i Evropës

Franca e Gjermania kërkojnë procedimin e draftit të Asociacionit në Kushtetuese

Dy shtetet më të fuqishme të BE-së kanë përsëritur se procedimi i draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm për ta siguruar mbështetjen në vendimmarrjen finale të Këshillit të Evropës këtë muaj. Britania e Madhe është shteti më i fuqishëm brenda KiE-së që i ka ofruar Kosovës mbështetje pa kushte shtesë për anëtarësim në këtë organizatë. Derisa shtetet e QUINT-it ia kanë përmendur Asociacionin si parakusht, kryeministri Albin Kurti e ka konfirmuar mbështetjen pa kushte edhe të Holandës, Suedisë, Belgjikës dhe Finlandës

Dy nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian (BE) – Gjermania dhe Franca – kanë mbetur në qëndrimin për ta mbështetur Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KeE), vetëm në rast se Prishtina zyrtare ndërmerr veprime të prekshme në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë për KOHËN se dërgimi i draftstatutit të Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm që Kosova ta sigurojë mbështetjen në votimin final për anëtarësim. 

“Franca rekomandon që Qeveria e Kosovës ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit në një mënyrë të pranueshme për Gjykatën. Dërgimi i draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për interpretim do të dërgonte një sinjal të fortë të përkushtimit të Kosovës për të përmbushur këtë çështje dhe do të demonstronte më tej përkushtimin e Kosovës ndaj të drejtave të pakicave, që është një nga shtyllat e Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Guérot. 

Në kuadër të fushatës për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE, zyrtarë serbë, si ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, kanë transmetuar qëndrimet edhe të vendeve të tjera. Daçiq ka deklaruar se Franca ka kërkuar që draftstatuti jo vetëm të procedohet, por edhe të pritet përgjigjja e Gjykatës Kushtetuese. Por në përgjigjen e ambasadorit Guérot nuk është përmendur se duhet pritur për verdikt të Kushtetueses.

Krahas Francës, edhe Gjermania ka kërkuar dërgimin e draftstatutit të BE-së për shqyrtim në Kushtetuese, në mënyrë që Kosova të kalojë me sukses votimin për anëtarësim në KiE. Në Ambasadën gjermane kanë thënë se ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të bindë shtetet për pranim në KiE, duke ndërmarrë “hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. 

“Në pikëpamjen tonë, një hap i tillë do të ishte dorëzimi i draftstatutit për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese. Siç ka thënë ambasadori në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova duhet të bëjë punën e madhe’. Kjo ende nuk ka ndodhur. Tashmë u takon kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij që t’i bindin shtetet e nevojshme anëtare me mjete të tjera, pra, duke ndërmarrë hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova është zotuar ta themelojë dhe është obligim ndërkombëtar”, është thënë në përgjigjen nga Ambasade gjermane. 

I pyetur lidhur me këto kushte, kryeministri Kurti ka refuzuar që të deklarohet nga homazhet e mbajtura për 26-vjetorin e rënies së heroit, Bahri Fazliu. Ai ka thënë se për këtë çështje do të flasë nga objekti i Qeverisë. 

Një ditë më herët, Kurti priti në zyrën e tij përfaqësues të QUINT-it, prej ku ka lënë të kuptohet se ka kërkesa që të procedohet me Asociacionin. Kurti është cituar të ketë thënë se përzierja eventuale e procesit të anëtarësimit me obligimet nga dialogu i Brukselit do të shkaktonte dëme të pariparueshme në të dyja proceset. 

“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen, pasi nuk e ndihmojnë njëri-tjetrin. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. 

Sipas Kurtit, neni 7 i Marrëveshjes Bazë nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe e Aneksit në Ohër, si dhe se nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Kurti ka kujtuar se më 26 tetor është refuzuar oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako, e cila do t’i hapte rrugë zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. 

“Në këtë drejtim kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draftstatut nga Lajçaku për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10 nuk është pranuar më 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel”, thuhet në njoftim. 

Ndryshe prej shteteve të QUINT-it, Kurti ka njoftuar të martën për mbështetjen që i është ofruar nga disa shtete të tjera në prag të votimit në Këshill. Pas takimit që ka zhvilluar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e BE-së në Kosovë, ai ka pritur në takim ambasadorët e Holandës, Suedisë, Belgjikës dhe Finlandës.

Sipas tij, këto shtete ia kanë konfirmuar mbështetjen edhe në votimin e Komitetit të Ministrave.

“Temë qendrore e takimit ishin anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, roli dhe përkrahja e çmuar e këtyre vendeve ndaj Kosovës gjatë gjithë procesit, si dhe mbështetja e tyre në takimin e komitetit të ministrave, në vijë me votimin e Asamblesë Parlamentare muajin e kaluar”, është bërë e ditur në komunikatën e Zyrës së kryeministrit. 

Edhe Britania e Madhe nëpërmjet Ambasadës në Prishtinë ka bërë të ditur se e mbështet Kosovën për anëtarësim në KiE. Në një përgjigje për KOHËN, shefi i Zyrës për Komunikim, Richard Le Vay, ka thënë se e inkurajon Kosovën në rrugën për anëtarësim në këtë organizatë evropiane.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe e inkurajon të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar mbështetjen e nevojshme për një votim të suksesshëm në Komitetin e Ministrave”, ka thënë Le Vay.

Pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare, tani çështja e anëtarësimit të Kosovës kalon në duart e ministrave të Jashtëm të KiE-së, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Mbledhja e radhës e ministrave do të mbahet më 16-17 maj.