Fotoreporteri serb, Goran Tomasheviq, i vetmi që u lejua të qëndrojë në Kosovë gjatë bombardimeve të NATO-s, ka kthyer në kujtesë ngjarjet që çuan deri në çlirimin i Kosovës. Ai në një diskutim të hapur në hapësirën kulturore të “Reporting House” në Prishtinë, të hënën, ka folur për paragjykimet me të cilat u përball gjatë raportimit
Pas 25 vjetësh, fotoreporteri serb, Goran Tomasheviq, është kthyer në Kosovë.
Me shkrepjet e tij, ai ka dëshmuar tmerret deri në ditën e fundit të luftës në Kosovë si fotoreporter i agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Në një diskutim të hapur në hapësirën kulturore të “Reporting House” në Prishtinë, të hënën Tomasheviq ka folur për paragjykimet me të cilat u përballë gjatë punës së tij.
Ishte i padëshiruar nga të gjithë.
“Ishte një mjedis goxha armiqësor, milicisë nuk i pëlqente që po punoja për Reutersin, as popullatës në përgjithësi, shqiptarët dhe serbët nuk kishin dëshirë të më shihnin. Nuk kishte komunikime, kishim probleme me transport, dhe shpeshherë nuk e dinim as çfarë po ndodhte dhe kjo ishte e vështirë, pasi për çdo fotografi nevojitej një përshkrim, qasja në informacion nuk ishte e lehtë”, ka thënë Tomasheviq.
Më 1999, gjatë bombardimeve 78-ditëshe të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, Tomasheviq ishte fotografi i vetëm që u lejua të qëndrojë në Kosovë, në shërbim të shtypit ndërkombëtar.
Gjatë diskutimit, ai ka treguar edhe një moment që thotë se e preku shumë.
“Kur shkova në Spitalin e Pejës, pashë një vajzë të vogël dhe ia bëra një fotografi. Më pas derisa po më shikonte, filloi t’i rridhte gjak dhe kjo skenë më ndoqi për shumë vjet. Isha shumë i trishtuar, dhe pas kësaj nuk mund të shkoja në spital për një kohë të gjatë për të bërë fotografi. E gjithë situata më ka prekur shumë në forma të ndryshme”, ka thënë ai.
Ai, ndër të tjera, ka përjetësuar në foto edhe krimet e forcave serbe në Burgun e Dubravës. Pas sulmit të NATO-s, forcat serbe kishin masakruar mbi 100 të burgosur shqiptarë .
Tomasheviq ka karrierë mbi 30-vjeçare si fotoreporter i luftës. Përveç në Kosovë, ai përmes shkrepjeve fotografike ka dëshmuar edhe vuajtjet e popujve që ndodheshin në luftë si në Irak, Afganistan, Libi dhe Siri.
Për punën e tij ai është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, ndër të tjera, edhe me çmimin prestigjioz “Pulitzer”.