Kolegë, miq e përfaqësues të institucioneve e kanë vlerësuar lartë kontributin dhe profesionalizmin e fotoreporterit Alban Bujari, i cili vdiq në moshën 55 vjeçare. Flaka Surroi, drejtoreshë e Grupit KOHA, ka thënë se Bujari ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetët dhe historinë tonë të luftës dhe paqes. E bashkëpunëtorët dhe kolegët në vlerësimin për punën dhe fotografitë e tij, kanë theksuar se ato janë vetë historia gati 30 vjeçare e Kosovës
Prova të përhershme për historinë e luftës e të paqes, të dhimbjes e të krenarisë së popullit të Kosovës, janë cilësuar fotografitë e realizuara nga mjeshtri Alban Bujari, fotoreporter në Grupin KOHA, që vdiq të enjten në moshën 55-vjeçare.
Bujari, ishte pjesë e ekipit të KOHËS që kur nisi karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore”, në vitin 1997. Drejtues të KOHËS kanë shprehur dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta të Bujarit.
“Të tronditur me ikjen e papritur dhe të hershme të Albanit. Miku dhe fotografi që la gjurmë të pashlyeshme në jetët dhe historinë tonë të luftës dhe paqes. Pusho i qetë Alban”, ka shkruar drejtoresha e KOHËS, Flaka Surroi.
Kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi e ka vlerësuar lart profesionalizmin e Bujarit.
"Iku Alban Bujari - fotoreporteri i luftës dhe paqes, profesionisti i fotografisë, kolegu në KOHA. Por, na la në shok! Zbrazëtia është e madhe dhe e papërshkrueshme, ashtu si edhe dhimbja. Por, kemi kujtimet që ndërtuam me vite e vite. Ato janë të paçmueshme. Shëmbëlltyrën e Albanit do ta kemi për çdo herë këtu, mes nesh", ka shkruar Rexhepi.
Publicisti Veton Surroi ka shkruar se Bujari me punën e tij është bërë pjesë e historisë së pashlyeshme.
“Alban Bujari mbylli sytë. Ato që panë tmerret e fëmijëve të vrarë, heshtjen bubulluese të shtëpive të djegura, vendosmërinë e njerëzve të kësaj toke për liri, gëzimin e paqes e ditëve të pafrikë - që të gjitha nga objektivi i kamerës e prej saj te të gjithë lexuesit e KOHËS. Shoku trim e i pandashëm i një gjenerate që solli e dokumentoi lirinë e u bë pjesë e historisë së pashlyeshme, duke lënë një zbrazëti të madhe këtej”, ka shkruar Surroi.
E njëri nga ata që bashkëpunoi gjatë me Bujarin ishte ish-kryeredaktori i KOHËS, Agron Bajrami. Në postimin e tij, Bajrami ka thënë se fotografitë e Bujarit janë historia e Kosovës.
“Zor me i gjet fjalët e duhura që e përshkruajnë në tërësi dedikimin e tij për artin e fotografisë, për profesionin e reporterit të luftës e kronistit të paqes, dashurinë për familjen, miqtë, vendin, kombin. Për rreth 30 vjet sa punuam bashkë, Albani ishte ai që me kamerën e tij shihte atë që ne nuk e shihnim me sy. Thonë se një fotografi vlen sa një mijë fjalë. Në rastin e Albanit, mijëra fotografi të tij janë historia e Kosovës vetë”, ka shkruar Bajrami.
Me anë të një telegrami, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Bujarit.
“Humbja e Alban Bujarit është një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin e gazetarëve, por për të gjithë shoqërinë. Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten të pashlyeshëm”, thuhet në telegram.
“Kemi bo lloj-lloj muhabetesh, po këtë të vdekjes nuk e paskemi bo kurrë”
Vdekja e Bujarit është përjetuar rëndë nga kolegët e redaksisë së KOHËS, në të cilën ai punoi që nga viti 1997. Fotoreporteri Driton Paçarada tregon mësimet që mori nga ai, që në ditën e parë të punës.
“Nëse do që të botohet fotografia në KOHË DITORE, para se me shkrepë fotografinë, duhet të mendosh... Albani më ka ndihmuar ta krijoj një mënyrë të fotografisë timen, kështu që vetëm mund t’i them ‘Faleminderit Alban’”, ka thënë Paçarada.
Afrim Vitia është ndër miqtë e mëdhenj që i pati për gjithë vitet në KOHË. Mes emocionesh, Vitia flet për temën që nuk e hapi kurrë me të.
“Jemi kanë shokë të ngushtë edhe kolegë, të pandashëm jemi kanë. Kemi bo lloj-lloj muhabetesh, lloj-lloj tema, këtë temë nuk e paskemi çelë kurrë, lloj-lloj muhabeti kemi bo, po këtë të vdekjes nuk e paskemi bo kurrë, vështirë”, është shprehur Vitia.
Në ditën kur i dhanë lamtumirën e fundit, disa nga miqtë dhe kolegët e Bujarit rrëfyen për kohët kur punuan me të.
“Kemi bashkëpunuar edhe gjatë periudhave më të vështira, ku shpeshherë na ka ndodhur që të mposhtim frikën përmes njëri-tjetrit. Kur kemi qenë afër kemi qenë më të sigurt, ashtu na është dukur, e sot na mungon pikërisht në ditën e masakrës që ka ndodhur, ku i ka bërë edhe vetë fotografitë”, ka thënë Ridvan Slivova, fotograf.
Kolegu tjetër, fotoreporteri Visar Kryeziu ka thënë se Bujari ishte kronist i shumicës së ngjarjeve historike të Kosovës.
“Ka qenë një profesionist që ia ka lakmi gjithkush, kronist i shumicës së ngjarjeve historike të Kosovës, me një sy të jashtëzakonshëm për të përcjellë ngjarjet deri te lexuesi edhe me një humor të sofistikuar. Na ka bërë të gjithëve neve me qeshë edhe në disa situata më të vështira”, ka rrëfyer Kryeziu.
Kurti: Fotografitë e Albanit janë trashëgimi vetëdije historike e kombëtare
Vdekja e Bujarit ka nxitur reagimin e përfaqësuesve institucionalë dhe politikë. Kryeministri Albin Kurti në letrën e ngushëllimit për familjen Bujari, Grupin KOHA dhe komunitetin e gazetarëve e fotoreporterëve ka thënë se lajmi për vdekjen e Bujarit është i trishtë.
“Në gati 30 vitet që me fotografi dokumentoi historinë e Kosovës, Albani, me modestinë njerëzore dhe punën profesionale, e vendosi veten në majën e gazetarisë së Kosovës, dhe jo vetëm. Albanin do ta mbajmë mend përherë e do ta kujtojmë për rolin e tij si fotoreporter veçanërisht në dokumentimin e masakrave të luftës së fundit në Kosovë, ku pamjet shërbejnë si dëshmi që ndërgjegjësuan më tej edhe opinionin e mediet ndërkombëtare. Me kurajën e njëjtë e kureshtjen e pashtershme përcolli zhvillimet shoqërore e politike edhe pas luftës. Syri i tij na ka përcjellë për afër tri dekada, e unë fytyrën e tij e kam parë në pothuajse çdo aksion politik si opozitar e aktivitet publik tash si kryeministër. Jemi takuar shpesh, por jo aq sa duhej për kohën e gjatë që njiheshim. Do të na mungojë gjithmonë; mungesa e tij do të vërehet përherë”, ka shkruar Kurti.
Më tej Kurti ka thënë se ai do të jetojë përmes veprave të tij, e nga to do ta mbajë të gjallë edhe kujtimin për viktimat e luftës së fundit, masakrat e shtypjen sistematike të viteve të '90-ta.
“Fotografitë e Albanit janë e do të jenë gjithmonë kujtesa jonë për dhimbjet e popullit tonë dhe përkujtimi i çmimit për lirinë që e gëzojmë sot. Me punën e tij, ai la trashëgimi vetëdije historike e kombëtare”.
E presidentja Vjosa Osmani e quajti arkiv të kujtesës e historisë, punën që la pas fotoreporteri Bujari.
“Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t’ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë. Përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë”.
Për punën e Bujarit ka shkruar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Fotografitë e Bujarit, sipas tij do të mbeten përherë dëshmi e krimeve të luftës në Kosovë,.
“Si fotoreporter i përkushtuar i luftës, ai dokumentoi këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë, duke u dhënë imazh ngjarjeve e duke i dokumentuar ato. Aparati i tij i bëri më të dukshme krimet e Serbisë në Kosovë, ndërsa mediat e huaja e bënë më të njohur realitetin e luftës sonë përmes fotografive të tij”, ka shkruar Konjufca.
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se Bujari ishte dëshmitar i “së vërtetës sonë më të rëndë”.
“Një njeri që me guxim dhe përkushtim e vuri talentin e tij në shërbim të kujtesës kolektive. Ai e pa dhe i tregoi botës luftën, me sytë e një njeriu që e ndiente dhimbjen e popullit të tij. Nëpërmjet fotografive, u dha zë atyre që nuk mundën të flisnin. E tani, imazhet e tij mbesin dëshmi e së vërtetës sonë historike. Trashëgimia e tij do të jetojë gjatë, si kujtim dhe si testament”, ka shkruar Çeku.
E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se fotografi i shquar portretizoi përjetësisht në histori dhembjen, qëndresën dhe triumfin e popullit tonë për liri.
"Me fotografitë e tij, Albani na la një testament të pashlyeshëm të së vërtetës dhe të rrugëtimit tonë monumental, duke i bërë ato momente pjesë të ndërgjegjes globale, përmes botimit në gazetat më të mëdha botërore", ka shkruar ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm Bujarin, që sipas tij, me artin dhe përkushtimin e tij i dha zë historisë.
“I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Alban Bujarit, fotoreporterit të jashtëzakonshëm, i cili me artin dhe përkushtimin e tij i dha zë historisë sonë, duke e rrëfyer përmes imazheve dhimbjen, sakrificën, të vërtetën dhe aspiratat e popullit tonë. Alban Bujari nuk ishte vetëm një fotoreporter, por një dëshmitar i kohëve më të vështira i rrugëtimit tonë drejt lirisë. Përmes objektivit të tij, ai e bëri të pavdekshme dhimbjen e popullit tonë gjatë luftës dhe më pas shpresën e një Kosove të lirë”, ka shkruar Abdixhiku.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se trashëgimia e Alban Bujarit do të mbetet e përjetshme e kontributi i tij do të frymëzojë brezat e ardhshëm të gazetarëve dhe fotoreporterëve.
"Ikja e tij e parakohshme është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por edhe për gjithë komunitetin e gazetarëve dhe artin e fotografisë dokumentare. Ai përjetësoi me aparatin e tij momente historike të kombit tonë, duke dëshmuar me profesionalizëm dhe pasion realitetin e kohëve më të vështira dhe ato të ndërtimit të paqes", ka shkruar në Facebook Kusari-Lila.
Ndër fotografitë më të dalluara të Bujarit janë ato të masakrës së Qirezit e Likoshanit, përvjetori i 27-të i të cilave u shënua të premten, ato për krimin mbi familjen Jashari në Prekaz më 1998, për masakrën e Reçakut më 1999 e atë të Rogovës më 1999. Fotografitë e Bujarit u botuan në mediat më prestigjioze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian” e “El Pais.
Alban Bujari është varrosur të premten pasdite në varrezat e qytetit në Prishtinë. Në ceremoninë e varrimit krahas familjarëve të tij, morën pjesë shumë kolegë, miq e përfaqësues të institucioneve.