Arbëri

Fotografia e Dorentinës

Dorentina Thaqi ndan me fotografinë e babait gëzimin dhe hidhërimin. Para çdo vendimi të rëndësishëm në jetë, e shtrëngon me dy duart fotografinë në kornizë, e bindur se burri trupdrejt do ta frymëzojë për të rrahur rrugën e drejtë.

E ka pikë në zemër që nuk ia kujton ngjyrën e zërit. Dori, sikur se e thërrasin në shtëpi dhe shoqëri, ishte rreth nëntë muajsh kur ia vranë baba Isajën dhe xhaxha Ylberin. Ndërmjet 25 dhe 27 marsit, forcat serbe vranë e masakruan në Krushë të Madhe 243 persona, në mesin e të cilëve edhe dhjetëra burra, si rasti i vëllezërve Thaqi nga Retija, të cilët ishin strehuar te motra pasi ditë më parë ishin dëbuar dhe u ishin djegur shtëpitë. Në mesin e viktimave ishin edhe shtatë fëmijë.

“Unë flas me babën për çdo gjë përmes kësaj fotografie”

“Unë flas me babën për çdo gjë përmes kësaj fotografie”, thekson Thaqi, 20 vjeçe. Nuk e lëshon nga duart fotografinë. Është njëra prej dy fotografive të vetme të babait që u kishte shpëtuar flakëve të shtëpisë së djegur nga trupat e regjimit të Slobodan Milosheviqit, me të filluar fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve jugosllave. “Sado që është e vështirë, sado që nuk e marr asnjë përgjigje, ose se çka kish mund të thoshte ai, unë flas me të”, shton Thaqi, gazetare e re në KTV.

Edhe kur flet për pjesët më të dhimbshme të familjes, mbledh veten e mundohet ta ruajë qetësinë. Herë-herë sytë ia dëshmojnë dhimbjen shpirtërore për humbjen e babait. Gjatë pjesës më të madhe të kohës, flet fytyrëqeshur. Kolegët në punë dhe fakultet e njohin për femër me karakter të fortë, asi që asnjëherë nuk u dorëzohet fatkeqësive e sfidave të jetës.

“Kur i qes vetes një qëllim, nuk heq dorë prej tij deri në pikë të fundit”, thekson me qeshje, e pak si e zënë ngushtë Thaqi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)