Fotografi nga Zelanda e Re, Wade Goddard, është kthyer në Kosovë 23 vjet pas luftës për t’i takuar të mbijetuarit e masakrës së Abrisë.
Goddard u emocionua kur pa lapidarin dhe varret e disa prej vajzave që u vranë nga forcat serbe në 1998-n, duke u shprehur se “nuk e priste që do të emocionohej”.
“Jam i befasuar që u emocionova kaq shumë, nuk e prisja. Kjo ishte një prej gjërave më të vështira që kam fotografuar. Normalisht, unë gjithmonë kam thënë që të fotografosh të gjallët është më e vështirë se të fotografosh të vdekurit. Kjo ishte diçka e papritur. Jam shokuar nga brutaliteti i krejt kësaj. Kur i pashë trupat e vajzave dhe të nënave të tyre, ishte e qartë se ato kishin ikur dhe kishin provuar të fshiheshin nën shkurre. Dhe e kuptova se këta tipa (serbët) thjeshtë kishin ndjekur rrugën e tyre duke i kërkuar dhe i kishin qëlluar”, është shprehur fotografi i mediumit “New York Times”, në një video të publikuar në faqen e kryeministrit Albin Kurti.
Ai ka thënë se serbët që i kryen këto krime “kishin ardhur për gjah”.
“Ushtarët që i kryen këto krime, ata vërtetë ishin vënë në gjah për të ardhur këtu, ishin në gjah dhe ishte natë. Ishin në gjah për të vrarë. Nuk është te shtëpia, ata ishin fshehur thellë dhe vërtetë po i ndiqnin njerëzit”, është shprehur Goddard.