Arbëri

Formimi i Qeverisë - Kurti pret certifikimin e rezultateve, Haradinaj thotë se opozita e ka shumicën

Nga certifikimi i zgjedhjeve janë të varura partitë politike para se të ndërmarrin veprime në drejtim të sigurimit të mbështetjes së nevojshme për votimin e Qeverisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka qenë i shkurtër në përgjigje në lidhje me nisjen e konsultimeve eventuale. Derisa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, beson se partitë opozitare janë ato që kanë shumicën, derisa shton se janë duke komunikuar mes vete

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të presë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, para se të nisë përpjekjet për formimin e qeverisë.

Të premten, Kurti ka qenë i shkurtër në përgjigje në lidhje me nisjen e konsultimeve.

“Një herë certifikimi i rezultateve”, ka thënë ai.

Certifikimin e rezultateve e pret edhe opozita. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, me gjithë këtë ka thënë se ka komunikim me partitë e tjera opozitare derisa është shprehur i bindur se mund të formojnë qeverinë.

“Ka komunikim të ndërsjellë, nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese, por besoj që ka gatishmëri që të ecet. Besoj, ajo që na takon neve si opozitar është që të bashkohemi dhe ta formojmë qeverinë nga opozita”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, formimi i Qeverisë mund të bëhet pas rrjedhjes së të gjitha afateve kushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës ka të përcaktuar procedurën e zgjedhjes së qeverisë. Sipas nenit 95 të saj, presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë. Kandidati për kryeministër, sipas interpretimit kushtetues, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Për t`u konsideruar e zgjedhur, Qeveria duhet të marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë presidenti brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas procedurës së njëjtë. Në zgjedhje vendi shkon nëse as herën e dytë nuk arrihet që të zgjidhet qeveria.

“Atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në Kushtetutë.

Moskonsultimet për formim të Qeverisë, para certifikimit të rezultateve, analisti Artan Muhaxhiri i konsideron humbje kohën nga partitë politike, duke ditur se nuk ka mundësi të ketë ndonjë ndryshim të madh.

Por, ai thotë se certifikimi i tyre është justifikim nga kryeministri Kurti për mosnisje të konsultimeve.

“Por nuk besoj që kjo është arsyeja kryesore që kryeministri Kurti nuk po i bën këto bisedime, sepse mendoj që është në një pozicion shumë të vështirë, pasi i duhet të bëjë kompromise të mëdha nëse dëshiron të mbetet në pushtet…”, ka thënë Muhaxhiri në emisionin “60 minuta” të KTV-së. Sipas tij, nga të gjitha partitë, në pikëpyetje është Nisma, që në Kuvend pritet të ketë tre deputetë, si pjesë e koalicionit me AAK-në.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë më së shumti vota dhe ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, por të pamjaftueshme për të krijuar e vetme Qeverinë, për të cilën nevojiten 61 vota.

Edhe në rast se bashkëpunon me 10 deputetë nga komunitetet joserbe, Vetëvendosjes i duhen edhe së paku tre deputetë që e përkrahin.