Arbëri

Fluks pacientësh nga vapa përvëluese

Vala e temperaturave të larta që ka goditur vendin ditëve fundit ka ndikuar që vetëm në një qendër të mjekësisë familjare në kryeqytet trajtim mjekësor të kërkojnë edhe deri në 200 qytetarë brenda ditës. Mjekët u kërkuan qytetarëve që të shmangin daljet në kohën e pikut të temperaturave e të tregojnë kujdes edhe me ushqimet që i konsumojnë. E meteorologët paralajmëruan për rënien e temperaturave, nisur nga e hëna

Temperaturat deri në 36 gradë celsius që kanë mbizotëruar ditëve të fundit në Kosovë kanë ndikuar në rritjen e numrit të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e problemeve shëndetësore të shkaktuara nga vapa. 

Vetëm brenda një dite, sipas mjekes Ardiana Jashari, në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër 5 në Prishtinë, për trajtim mjekësor paraqiten deri në mbi 200 pacientë.

“Për shkak të ngritjes së temperaturave shfaqen probleme të ndryshme dhe fillon fluksi i pacientëve. Pacientët i kemi prej moshave të ndryshme, nga fëmijët e vegjël deri tek të moshuarit, por që ngritja e temperaturave ndikon më shumë tek të moshuarit, ku u shfaqën ankesa të ndryshme”, ka thënë Jashari.

Tek i numëron simptomat më të shpeshta që shfaqen te pacientët, Jashari u bën thirrje qytetarëve që t’i shmangen daljet në kohën e pikut të temperaturave të larta.

“Kemi pacientë me sëmundje kronike të ndryshme, si ngritja e temperaturës dhe përkeqësimi i simptomave. Të gjitha këto shfaqen nga pakujdesia e ushqimeve. Qytetarët nuk duhen t’i ekspozohen diellit në atë kohë kur është piku, domethënë ajo koha nga ora 10 deri në orën 5 pasdite dhe zakonisht këshillohen qytetarët të qëndrojnë në ambiente të mbyllura”, ka thënë ajo.

E Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, u kërkoi qytetarëve që të kenë kujdes të veçantë me ushqime për të shmangur mundësinë e sëmundjeve të ndryshme. Ai dha edhe udhëzime për mënyrën e duhur të ruajtjes së produkteve ushqimore.

“Në sezonin e verës, të gjitha produktet me origjinë shtazore, qumështi, nënproduktet e tij dhe mishi e nënproduktet e mishit gjithmonë kërkojnë kushte frigoriferike të ruajtjes. Në qoftë se janë të freskëta, temperaturat duhet të jenë deri në katër gradë, në qoftë se janë të ngrira, duhet të jenë nën minus tetëmbëdhjetë gradë Celsius dhe gjithmonë ato janë të shënuara në tiketë. Tash secili produkt është i kategorisë së veçantë dhe i ka të specifikuar temperaturën e ruajtjes dhe qytetarët duhet të bëjnë kujdes”, ka thënë Thaçi.

Temperaturat e larta që u shënuan gjatë javës, sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës pritet që të shënojnë rënie që nga e hëna e javës së ardhshme, kur mund të priten edhe rrebeshe shiu.