Konsorciumi fitues i tenderit për furnizim me çizme në FSK ka reaguar pas raportimit të KOHËS se kompania turke, që është pjesë e konsorciumit fitues, është në Listën e Zezë të Turqisë, duke e quajtur raportimin të pavërtetë. Pas këtij reagimi, KOHA e ka hulumtuar sërish çështjen dhe pas shkarkimit të serishëm të dokumentacionit nga webfaqja zyrtare e prokurimit elektronik në Turqi, rezulton se kompania e ka të ndaluar pjesëmarrjen në tenderë në shtetin turk për afat prej një viti
Tenderi prej 1.5 milion eurosh për furnizim me çizme për nevojat e FSK-së, që u është dhënë dy kompanive, është nënshkruar nga Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK), porse dyshimet janë që kompania turke, pjesë e konsorciumit fitues, është në listën e zezë të Turqisë.
Vetëm pas raportimit, kompania “Runway SHPK” reagoi, duke pretenduar që dokumenti që KOHA e përdori në mbulimin e stories nuk ka të bëjë me partnerin e saj.
“Në ‘dëshminë’ e prezantuar nga ju shihet qartë se kemi të bëjmë me një subjekt krejtësisht tjetër, ‘Abdulvahap Genc’, ndërsa anëtari i grupit tonë të konsorciumit është ‘Genç Taahhut Gijim Tekstil’”, thuhet në reagim.
Dokumenti i përdorur ishte transmetuar gabimisht, shkaku i një lëshimi teknik. Por, KOHA i shkarkoi sërish më 23 prill, në orën 21:21 minuta, dokumentet nga webfaqja zyrtare e prokurimit elektronik në Turqi, që dëshmojnë se kompania turke është në listë të zezë.
Në dokument theksohet se kompanisë i është pezulluar e drejta për të marrë pjesë në tenderë, më datë 31 janar të 2024-s dhe se masa vlen deri në janarin e ardhshëm.
Për ta vërtetuar këtë, KOHA krahasoi emrin e kompanisë me atë që figuron në certifikatën e biznesit në Turqi. Bazuar në dokumente, fjalë është për të njëjtin subjekt, pasi emërtimi nga webfaqja turke dhe ai nga certifikata e biznesit është identik.
Pas reagimit, KOHA i dërgoi email kompanisë “Runaway” duke i bashkëngjitur, krahas pyetjeve konkrete, edhe dokumentin e shkarkuar që e tregon masën e pezullimit, porse përgjigje nuk ka marrë. Pyetje të dy kompanive iu patën dërguar edhe para publikimit të stories së parë.
Në reagimin e 23 prillit, kompania “Runway SHPK” përcolli dokumente të gjykatës e të drejtorisë për regjistrim të bizneseve në Turqi, përmes së cilave pretendoi se për kompaninë nuk ka ndonjë masë.
Dokumentet që KOHA i shkarkoi nga e-prokurimi i Turqisë dëshmojnë se sanksioni për pjesëmarrje në tenderë në këtë shtet nuk bëhet nga gjykata dhe nga autoritetet tatimore. Në Kosovë, kompanitë që i shkelin rregullat e prokurimit nuk përfshihen në listë të zezë nga gjykatat, por nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, që është organ administrativ.
Neni 65 i Ligjit të Prokurimit Publik i konsideron kompani të papranueshme për pjesëmarrje në tenderë jo vetëm ato që janë dënuar në gjykatë, por edhe të sanksionuarat nga agjencitë administrative.