Arbëri

Fishekzjarrët prishin festën, një 25-vjeçar në gjendje kritike e 24 të lënduar

Në natë ankthi është kthyer nata e ndërrimit të moteve në lagjen “Bazhdarhane” të Prizrenit. Një i ri ndodhet në gjendje kritike nga lëndimet që mori pasi mjetet piroteknike të ekspozuara në një stendë shpërthyen aksidentalisht. Një apartament mori flakë e dëme pësuan shumë të tjera, bashkë me biznese e automjete.

Fishekzjarrët i kanë prishur festimet e vitit të ri në lagjen “Bazhdarhane” të Prizrenit ende pa u ndërruar viti. 

Një i ri ka pësuar lëndime të rënda, pasi mjetet piroteknike të ekspozuara në një stendë u ndezën aksidentalisht mbrëmjen e 31 dhjetorit.

I riu aktualisht është i shtrirë në mjekim intensiv.

Shefi i ndërresës në këtë repart të QKUK-së, Mentor Alimusaj, e përshkroi gjendjen e pacientit 25-vjeçar si të rëndë, që u soll nga Prizreni.

“Gjendja e tij vazhdon të jetë kritike për shkak se pacienti përpos djegies që e ka pësuar në regjionin e fytyrës, barkut, ekstremiteteve të poshtme ka edhe lëndime të tjera. Ka lëndim të kockave të fytyrës, syrit, të dorës, këmbës së djathtë dhe mushkërive. Është politraumë, nuk është vetëm djegie”, ka deklaruar Alimusaj.

Një person tjetër që ka qenë në vendngjarje bashkë me 25-vjeçarin pësoi lëndime të lehta.

Pas kremtes së ndërrimit të moteve vetëm te Emergjenca në Prishtinë morën trajtim 24 persona të lënduar nga mjetet piroteknike.

“Prej tyre një ka qenë në gjendje më të rëndë që ka ardhur nga Prizreni, është duke u punuar në sallë ende, tre i kemi me lëndime në regjionin e syrit, ndërsa të tjerët janë kryesisht në ekstremitete”, ka theksuar shefi i ndërresës në emergjencë, Agron Çitaku.

Një apartament ka marrë flakë e shumë të tjerë në rrugën “Ahmet Prishtina” në “Bazhdarhane” të Prizrenit pësuan dëme nga shpërthimi aksidental i mjeteve piroteknike. 

“Ka qenë një detonim i madh, jo si shpërthim, por diçka si një dinamit. Është ndier si tronditje. Menjëherë në moment kanë shpërthyer dritaret dhe janë lëkundur tavolinat e çfarë ka pasur aty. Rreth e rreth në shtëpi i ka thyer dritaret dhe më është dashur ta bëja njëfarë kombinimi...Deri në mëngjes kemi mbledhur xhama. Domethënë ne nuk kemi festuar, kemi mbledhur xhama. Kemi pastruar. E askush nuk ka ardhur të na pyesë a kemi nevojë për ndonjë gjë”, ka deklaruar Arsim Gjinovci, njëri prej banorëve të dëmtuar.

Dëme kanë pësuar edhe automjetet e parkuara dhe disa objekte biznesi. Pronarët kërkuan të kompensohen nga shteti.

“Prej institucioneve kërkoj drejtësi dhe përgjegjësi. Të na japin një përgjigje se kush do të përgjigjet për këtë dëm që na ka ndodhur neve, që kanë lejuar të shiten materialet piroteknike me sasi shumë të konsiderueshme. E gjitha ndodhi për një moment, një shpërthim i madh ishte dhe menjëherë ndodhi. U dogjën të gjitha materialet piroteknike dhe po i shihni dëmet të cilat na i kanë shkaktuar”, ka theksuar Leutrim Haxhifazliu, pronar i lokalit të dëmtuar. 

Pronarja e një biznesi të dëmtuar, Liridona Fetahi, ka thënë se mjetet prioteknike nuk duhet të shiten para banesave. 

“Mbrëmë shkaku i petardëve e këtyre kanë marrë flakë të gjitha ato, normalisht në lokal më është thyer krejt xhami i përparmë e krejt ato. Edhe në banesë tmerr ishte, s’kemi mundur as të dilnim. Veç është tmerr të lejohen para banesës ashtu, s’kemi mundur as të dalim nga banesa askush”, ka theksuar ajo.

Enis Dana, pronar i një biznesi të dëmtuar e ka përshkuar si gjendjen si kaotike.

“Mbrëmë në orën 9 e 34 më kanë telefonuar komshinjtë. Kemi qenë në shtëpi, nga ma shpejt se lokali është t’u u djegë. Kur kemi ardhur këtu e kemi parë se nuk kemi shanse të afrohemi. Mbrëmë ka qenë një kaos i madh për Prizrenin edhe për ne, për bizneset, të gjithë komshinjtë i keni parë këtu. Jemi të dëmtuar. Ne si biznes jemi shumë të dëmtuar. Është i papërballueshëm dëmi. Zoti na ndihmoftë të gjithëve. Ishalla shteti e komuna pak na rrinë mas edhe na ndihmojnë se nuk mund t’i përballojmë këto dëme që janë bërë”, ka theksuar Dana.

Pak kohë pas shpërthimit kanë intervenuar ekipet e emergjencës, por që nuk kanë arritur menjëherë ta ndalin ciklin e shpërthimit të mjeteve piroteknike.