Arbëri

Filologjiku shkurton orarin e ligjëratave në mungesë të ngrohjes në salla

Disa salla të ligjëratave në Universitetin e Prishtinës kanë mungesë të ngrohjes. Si pasojë e kësaj, të mërkurën në Fakultetin e Filologjisë janë mbajtur ligjërata me orar të shkurtuar. Sipas stafit dhe studentëve, ambientet e ftohta kanë ndikuar në shëndetin e tyre. E në “Termokos” kanë thënë se problemin e kanë rregulluar të mërkurën në mesditë

Ka dy javë që disa salla në objektin ku mbajnë ligjërata studentët e Filologjisë dhe të Shkencave Matematike-Natyrore kanë mbetur pa ngrohje. 

Në periudhën kur temperaturat sillen rreth zeros, Zoja Osmani, studente në drejtimin e gazetarisë, ka thënë se kjo ka penguar procesin mësimor. 

“Si studentë jemi të shqetësuar pak për këtë çështje të ngrohjes së departamentit tonë por edhe në tërë fakultetin, mirëpo besoj që institucioni shumë shpejt ka me ndërmarrë hapa të tjerë, që ka me finalizu këtë problem. Ne jemi të shqetësuar pasi ngrohja nuk është në nivelin e duhur e dëmton edhe procesin mësimor pastaj studentët mund të mos jenë të përqendruar 100 për qind në procesin mësimor”, ka thënë ajo.

Për mungesë të ngrohjes, të mërkurën orët e ligjëratave në Fakultetin e Filologjisë u mbajtën me orar të shkurtuar. 

Prodekanja për projekte dhe infrastrukturë në Fakultetin e Filologjisë, Remzie Shahini – Hoxhaj, ka deklaruar se problemi është adresuar te ndërmarrja publike “Termokos”.

“Zakonisht jemi munduar që në fillim të vitit t’i sanojmë këto problematika, por gjithmonë diçka ndodhë dhe nuk arrijmë me pasë një fillim sezonal të ngrohjes, prandaj edhe kësaj radhe kemi pasur problem që një pjesë e objektit është nxehur shumë e një pjesë tjetër është pa ngrohje. Përveç që ka shkaktuar ftohje të profesorëve dhe të studentëve, natyrisht që prej sot ka fillu me pasë edhe shkurtime të orëve të mësimit, nuk ka qenë e mundshme me mbajt mësimin në ato salla ku nuk ka pasur ngrohje”, ka thënë ajo.

E në ndërmarrjen “Termokos” thanë se problemi është sanuar në mesditën e së mërkurës. Por ekipi i KOHËS ishte në ambientet e fakulteteve pasdite dhe ngrohje nuk kishte. 

Zëdhënësja e ndërmarrjes, Afërdita Uka, e ka arsyetuar këtë me kohën që u duhet gypave që përcjellin ujin deri në radiator, të ngrohen.

“Pas raportimeve se në paraditen e sotme objekti i Fakultetit Filologjik të UP-së ka pasur probleme furnizimi me ngrohje për shkak të një defekti në rrjetin sekondar të ngrohjes, ekipet tona kanë reaguar menjëherë. Pas ndërhyrjeve, që janë realizuar nga ekipi ynë është sanuar defekti i paraqitur dhe nga mesdita është rikthyer furnizimi me ngrohje për këtë objekt. Tani objekti i Fakultetit Filologjik është duke u furnizuar me ngrohje të mjaftueshme”, ka thënë zëdhënësja Uka.

Për salla të ftohta janë ankuar edhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Një sallë në “Institutin B”, sipas tyre, nuk plotëson kushtet e mbajtjes së ligjëratave për shkak të temperaturave të ulëta që mbretërojnë.