Arbëri

Filloristët përfundojnë testimin ndërkombëtar pa i kuptuar disa pyetje

Ka përfunduar vlerësimi ndërkombëtar TIMSS që teston njohuritë e nxënësve në nivelin fillor në fushën e matematikës dhe shkencës. Disa nga nxënësit që iu nënshtruan testimit, thanë se ka pasur pyetje që nuk i kanë kuptuar. Edhe këtë herë, si në testimet e tjera ndërkombëtare, janë formuar qendra të testimit nëpër komuna në mungesë të kompjuterëve në shkolla

Rreth 5 mijë nxënës në klasën e pestë i janë nënshtruar për të dytën herë vlerësimit ndërkombëtar, TIMSS, që teston njohuritë në fushën e matematikës dhe shkencës. 

Vlerësimi i organizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Vlerësimin e të Arriturave në Arsim, ka filluar më 27 maj dhe është përmbyllur të martën. Ky vlerësim është vazhdim i testimit të mbajtur në vitin 2023. Qëllimi i testimit të sivjetmë është për të analizuar arritjet e nxënësve gjatë një viti shkollimi. 

153 institucione arsimore në vend kanë marrë pjesë në testim. 

Disa nga nxënësit që iu nënshtruan testimit në shkollën e mesme “Gjin Gazulli” në Prishtinë, kanë thënë se ka pasur pyetje që nuk i kanë kuptuar. 

“Disa pyetje kanë qenë të vështira, e disa nuk i kam kuptuar. Disa kanë qenë pyetje logjike, e shumica kanë qenë që i kemi mësuar”, ka thënë njëri nga nxënësit. 

Një tjetër nxënëse ka thënë se pyetjet ishin logjike.

“Pyetjet kanë qenë logjike, ka pasur edhe pyetje që i kemi mësuar edhe ne, por kemi kaluar mirë gjatë procesit të testit. Të lehta kanë qenë, por ka pasur edhe të vështira”, ka thënë ajo. 

Udhëheqësi i divizionit për vlerësim në Ministri të Arsimit, Fatmir Elezi, ka thënë se presin rezultate më të mira se në testimin paraprak. 

“Vullneti i nxënësve ka qenë që të punojnë në test, pyetjet kanë qenë të ngjashme me TIMSS 2019, porse atëherë ka qenë në letër, por ka pasur edhe pyetje të reja dhe shpresojmë që rezultatet do t’i kemi më të mira sesa në 2019, për dallim nga PISA në TIMSS rezultatet kanë qenë më të mira edhe në vitin 2019”, ka thënë Elezi. 

Edhe këtë herë, janë formuar qendra të testimit nëpër komuna në mungesë të kompjuterëve në shkolla. 

“Testimi ka qenë digjital, edhe disa shkolla nuk kanë pajisje teknologjike për të gjithë nxënësit, pasi nuk mund t’i nënshtrohen testimit nxënësit një nga një por të gjithë së bashku, ata janë dërguar te disa shkolla që janë të pajisur me kompjuterë dhe laptop”, ka thënë Elezi. 

Rezultatet për pjesën e parë të testimit do të publikohen në dhjetor të këtij viti, ndërsa për testimin vazhdues do të publikohen gjatë vitit të ardhshëm.

Në vitin 2019-të, Kosova ka marrë pjesë për herë të parë në testimin ndërkombëtar TIMSS. Në atë testim, nxënësit kosovarë janë radhitur në vendin e 54-t, në mesin e 64 shteteve pjesëmarrësve. 

Ashtu si në testimin ndërkombëtar PISA, pjesëmarrja e shkollave përzgjidhet në mënyrë rastësore. 

Ky studim ndërkombëtar i cili organizohet nga viti 1995, matë arritjet e nxënësve në matematikë dhe shkencë çdo katër vjet duke administruar teste në një mostër nxënësish në klasën e katërt dhe të tetë. Kosova i nënshtrohet këtij testi vetëm me nxënësit e nivelit fillor.