Në 15 shkolla të Kosovës do të pilotohet projekti për studimet gjurmuese, që ka për qëllim mbledhjen e të dhënave rreth punësimit të studentëve.
Projekti që mbështetet nga Zyra e BE-së e do të implementohet nga Instituti EdGuard, mes tjerash, do të sigurojë edhe një lidhje mes shkollimit e tregut të punës.
Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard ka sqaruar më tej këtë projekt.
“Ai diskutimi jonë i kamotshëm se kush është lidhja me tregun e punës dhe shkollimin do të marrë një përgjigje së shpejti. Neve do të kemi statistika dhe të dhëna, do të gjurmojmë të rinjtë tanë pas diplomimit, do ta kuptojmë se kush është rrugëtimi i tyre në karrierë pas diplomimit dhe kjo për të na shërbyer institucioneve tona për përditësim të programeve dhe për një lidhje shumë më të mirë të shkollimit me tregun e punës.”
E sipas shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me këtë projekt do të kuptohet se nëse të rinjtë fitojnë njohuritë e duhura pas diplomimit.
“Studimet gjurmuese që po i lansojmë sot janë një mjet efikas për të siguruar që të diplomuarit nga AAP të pajisjen me shkathtësi të duhura dhe të drejtohen kah kërkesat e tregut të punës”, tha Szunyog.
Mbledhja e të dhënave nga ky projekt do të mundësonte që arsimimi të jetë në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se se informata të tilla kanë munguar gjithnjë.
“Të gjitha këto informata deri më tani kanë munguar shumë shpesh apo thënë më mirë kanë qenë të pjesshme e parciale dhe janë këto informata që do të na mundësonin që arsimin dhe aftësimin profesional i të rinjve të jetë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e tregut të punës, duke mundësuar kështu edhe punësimin më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm”.
Projekti për studime gjurmuese do të përcjellë se cilat janë kërkesat dhe nevojat e bizneseve, perceptimi i studentëve për cilësinë e arsimit që do të mundësonte pastaj përditësimin e kurrikulave që implementohen në shkollat e arsimit e aftësimit profesional.