Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Fetahu, ka deklaruar se nëpërmjet Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Qeveria po synon që të ketë rol vendimtar brenda këtij institucioni.
Partia Demokratike (PDK) i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese të enjten. Në këtë institucion i ka çuar për vlerësim të kushtetutshmërisë Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Komisionin e Pavarur të Mediave, si dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës.
Fetahu është shprehur se PDK-ja i kundërshton katër nene e Ligjit të KPK-së, e jo të tërat, derisa ka thënë se këto të katërta e bëjnë “boshtin kurrizor të ligjit”.
“Qeveria ka propozuar që të reduktohet numri i anëtarëve të KPK-së. Problemi është në faktin e mekanizmave të funksionimit, që kanë përcaktuar se kuorumi për mbledhje e për vendimmarrje të jetë me 5 anëtarë të KPK-së nga 7, që të merret një vendim. Duke bërë që anëtari i jashtëm të zgjedhet nga politika. KPK-ja e ka të pamundur të mblidhet dhe të organizohet edhe të prodhojë vendime...Kjo përpjekje për reformim paraqet përfshirje dhe rol vendimtar të politikës në Këshill”, ka thënë Fetahu të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka shtuar se qasja e Qeverisë nëpërmjet këtij ligji “demonstron një lloj inati sa i përket dështimeve të vazhdueshme për të siguruar miratimin e politikave në pajtim me rendin kushtetues”.
Fetahu i PDK-së ka potencuar se kjo parti nuk e kundërshton që numri i anëtarëve të KPK-së të reduktohet nga 13 në 7, por që anëtari i jashtëm të mos jetë përcaktues në disa çështje.
Për ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM), Fetahu ka thënë se disa nene të këtij ligji bien ndesh me standardet evropiane dhe me rendin juridik kushtetues.
Sipas Fetahut, te Ligji i KPM-së PDK-ja i ka kontestuar 7 nene.
“Me ligjin e kontestuar, KPM-ja do të themelojë një institucion të ankesave, që ai do t’ia kontrollojë vetë KPM-së ligjshmërinë. Në kuptimin e parimeve kjo nënkupton zhveshje nga e drejta për mjete juridike efektive”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Ligji për KPM-në do të rrëzohet dhe do të duhet të rishkruhet.
“Ligji i KPM-së do të rrezohet, tani duhet t’i bindim palët që edhe në procesin tani të komenteve, të nxjerrim më të mirën që shkrimi i sërishëm i këtij ligji të çojë në një ligj që avancon të drejtën mediale dhe ushtron kontroll të përmbajtur në raport me mediat”, u shpreh Fetahu.