Arbëri

Fetahu: Kosova, shteti i vetëm që në Kushtetutë ka kapitull për të drejtat e komuniteteve

Avokati Faton Fetahu ka thënë se Kosova është i vetmi shtet në Kushtetutën e së cilit ka kapitull për të drejtat e komuniteteve joshumicë.

Sipas tij, kushtetutat e vendeve të tjera nuk kanë kapituj të veçantë për të drejtat dhe liritë e komuniteteve. 

“Konteksti i hartimit të Kushtetutës i ka paraprirë, procesi i propozimit të Ahtisaarit në mënyrë të fjalëpërfjalshme ka bartur në Kushtetutë aspekte të rëndësishme si të drejtat e komuniteteve dhe me gjasë është shtetit i vetëm Republika e Kosovës që në Kushtetutën e saj e ka një kapitull të veçantë për të drejtat dhe liritë e komuniteteve, kapitull që nuk e kanë kushtetutat e vendeve të tjera”, ka thënë ai të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.

Fetahu ka shtuar se pavarësisht se në qendër të Kushtetutës së Kosovës është shteti i së drejtës, ky akt i lartë juridik nuk është treguar mjaftueshëm operativ, andaj ka pasur nevojë për ndryshime kohë pas kohe. 

“Sipas Kushtetutës, Kosova nuk është një shtet që qëndron në bazë të etnisë apo nacionalitetit, por është demokraci kushtetuese që në qendër e ka shtetin e së drejtës në bërthamë të së cilës janë të drejtat dhe liritë e njeriut. Në këtë kontekst, natyrisht që ka aspekte ku Kushtetuta nuk është treguar operative mjaftueshëm, gjë që e vënë pah nevojën për ndryshim”, ka thënë tutje ai.