Arbëri

Festivali edhe me këngëtarë nga Serbia në Dragash, i rrezikshëm për autoritetet

veteranët

Komunës së Dragashit i ka dalë punë me “Arog Fest”, për të cilin veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u alarmuan sherri i së paku dy këngëtareve serbe të parapara në ngjarjen e paralajmëruar në rrjete sociale për 5 maj. E ka futur festivalin në rend dite të takimit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB). Ka kërkuar që aktiviteti të mos mbahet në formën dhe datën e planifikuar. Për komunën kjo ngjarje “bart rrezik për krijimin e tensioneve”.

Në KKSB është rekomanduar që çdo organizim i ngjashëm të realizohet në bashkëpunim të plotë me institucionet komunale dhe në përputhje me traditat e komunitetit, në mënyrë që të mos cenohen vlerat kulturore dhe siguria publike në komunë.

Autoritetet kanë kërkuar nga organizatorët që të respektojnë ndjeshmëritë historike dhe kulturore të komunitetit teksa kanë ngritur dyshime mbi qëllimin e festivalit. Autoritetet kanë thënë se ngjarje të ngjashme në të kaluarën janë keqpërdorur nga regjimi i Millosheviqit për qëllime propagandistike, duke përmendur këngëtaren Svetlana Ceca Razhnatoviq.

Sipas autoriteteve mbajtja e një aktiviteti të tillë rrezikon të cenojë harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin social të Komunës së Dragashit.

E i kontaktuar nga KOHA, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka thënë se autoritetet nuk do të lejojnë që ky festival i paralajmëruar të mbahet në formën e proklamuar në rrjete sociale.

“Ne nuk jemi kundër manifestimeve kulturore që mbahen në Dragash. Janë festime tradicionale që mbahen nga data 6 deri më 10 maj, që mbahen në natyrë, në 4-5 vende në rajonin e Gorës, por tani është bërë promovim intensiv i një planifikimi që s’lidhet me traditën dhe identitetin lokal që është ruajtur ndër vite me përkrahjen e komunës”, ka thënë ai teksa ka shtuar se në formën e proklamuar kjo ngjarje bart rrezik për krijimin e tensioneve.

Ndërkaq organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar se do ta ndalin vetë organizimin po që se vazhdohet përpara me manifestimin, dhe nëse nuk ndalet nga autoritetet. Në një reagim publik, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shoqata e Invalidëve dhe ajo e Familjeve të dëshmorëve kanë thënë se ngjarja bie ndesh me ndjenjat e qytetarëve dhe dinjitetin e shtetit.

“Data 5 maj është e shenjtë për popullin shqiptar, është Dita e Dëshmorëve të Kombit. Në këtë ditë, ne nderojmë me krenari dhe përulësi sakrificën sublime të bijve dhe bijave më të mirë të kombit, të cilët ranë për lirinë që ne e gëzojmë sot”, thuhet në reagim.

Veteranët e kanë konsideruar këtë organizim provokim të qëllimshëm, të papranueshëm dhe fyes.

“Çdo përpjekje për të relativizuar dhimbjen dhe sakrificën tonë në ditë të tilla përbën cenim të rëndë të ndërgjegjes kombëtare. Kjo nismë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona kombëtare dhe historisë sonë të lavdishme të rezistencës”, thuhet në reagim. “Për këtë arsye, ne e konsiderojmë organizimin e këtij koncerti me pjesëmarrje të artistëve serbë si një provokim të qëllimshëm, të papranueshëm dhe thellësisht fyes për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët dhe për gjithë ata që kanë sakrifikuar për çlirimin e vendit. Çdo përpjekje për të relativizuar dhimbjen dhe sakrificën tonë në ditë të tilla përbën cenim të rëndë të ndërgjegjes kombëtare. Kjo nismë është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona kombëtare dhe historisë sonë të lavdishme të rezistencës”.

Por organizatorët kanë thënë se nuk bëhet fjalë për provokim. Një nga organizatorët, që ka folur për KOHËN, ka thënë se është befasuar me reagimin dhe se nuk ka pasur qëllim provokimin.

“Nuk e kemi ditë që ka qenë datë e dëshmorëve. Nëse hidhërohet dikush edhe e ndërrojmë. Shohim me ata këngëtarët a munden dhe e ndërrojmë. Ne nuk kemi qëllim provokimin. S’ka arsye provokim. Unë investoj në Kosovë. Tash çka po mendoj menjëherë është të ndërrohet data. Nuk kam asnjë plan provokimi”, ka thënë ai.

Në paralajmërimin e këtij festivali, është thënë se qëllimi është për takim që feston kulturën, traditën dhe muzikën e Gorës, Zhupës dhe Podgorës. Më 5 maj është ftuar program me të paktën pesë këngëtarë, ndër ta të paktën dy serbe, Rada Manojloviq dhe Zorana Miqanoviq.