Arbëri

Fermerët: Në mungesë të vendosjes së matrikujve te kafshët, s’mund të aplikojmë për subvencione

Ruzhdi Ajeti është në mesin e qindra fermerëve nga Ferizaj që nuk ka arritur të aplikojë për subvencione për pesë lopë qumështore dhe për të tjera që i ka në fermë. 

Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e vonuan procesin e vendosjes së matrikujve te kafshët, e vërtetimi për të është në mesin e dokumenteve që duhen bashkëngjitur kur të aplikohet për subvencione.

“Për çdo javë po e thirri veterinarin. Ai po më thotë sot-nesër, sot nesër, ja kanë me ardhur me i vendos vathët, por nuk janë ardhur. Ne po kemi frikë se ata nuk po vijnë dhe po i humbim subvencionet sepse afati është deri me datën 12 e tash çka ndodh nuk e dimë”, ka thënë ai.
E, në Komunën e Ferizajt thanë se me problemin përballen fermerët në të gjitha komunat dhe kërkuan shtyrjen e afatit për aplikim. 

“Bëhet fjalë për problemet që e kanë shkaktuar Ministria e Bujqësisë duke mos u koordinuar mirë me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës dhe për pasojë kanë mbetur një numër i madh fermerëve të komunave të Republikës së Kosovës pa aplikuar për përfitim të subvencioneve për krerë të bagëtive të imta dhe bagëtive të trasha në mungesë të ‘Matrikujve’”, ka thënë drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Burim Bajrami.

Në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë që menaxhon me subvencionet thanë se kanë pranuar shumë kërkesa nga drejtoritë komunale për shtyrje të afatit të aplikimit për subvencione. 

“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë / AZHB ka pranuar disa kërkesa nga drejtoritë komunale për bujqësi për zgjatje të afatit të aplikimit për Pagesa Direkte/PD (subvencione) për vitin 2024, të cilat janë shqyrtuar dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë afatin për aplikim edhe për 15 ditë kalendarike, aq sa lejon U/A -11/2024 për Programin e Pagesave Direkte, respektivisht paragrafi 1 i nenit 32 i këtij U/A. Ndërkaq, sa i përket vërtetimit për numrin e kafshëve dhe  problemet me matrikulim, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë/AZHB nuk ka njohuri, e as kompetencë të përgjigjet në këtë pyetje. Ju lutem këtë pyetje ta adresoni në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë/ AUV”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

E, Ministria njoftoi të premten se e ka shtyrë këtë afat deri më 29 prill. 

“Kjo zgjatje e periudhës për aplikim po bëhet për shkak të kërkesave të fermerëve dhe drejtorive komunale për bujqësi, duke ua mundësuar në këtë mënyrë aplikimin të gjithë fermerëve, që kanë mbetur pa aplikuar deri më tani në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2024”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Ndërkaq në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës nuk treguan arsyen e vonesës së vendosjes së matrikujve te kafshët, par thanë se shpejt do të fillojë procesi i matrikulimit të kafshëve.

“Tashmë AUV-ja ka autorizuar 3 kompani, të cilat do të bëjnë furnizimin me numra për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, si dhe janë kontraktuar edhe shumica e praktikave veterinare, të cilat do të bëjnë shpërndarjen e këtyre numrave te fermerët dhe vendosjen e tyre në kafshë”, thuhet në përgjigjen e AUV-së.

Sipas kategorsë së kafshëve, fermerët përfitojnë prej 30 deri në 90 euro për kokë kafshe që e mbajnë në fermë.