Arbëri

Ferizajasi që i njeh 25 mijë rrugët e Londrës

Janë mbi 30 mijë emra rrugësh e lokacionesh të ndryshme të Londrës që Gëzim Ramadani është dashur t’i mësonte përmendësh për t’i kaluar testet e pesë fazave të studimit, para se t’i jepej e drejta për t’i dhënë taksisë së tij edhe nëpër shiritin e ndarë për autobusët e trafikut urban. Prej vitit 2015, Ramadani është njëri prej rreth tridhjetë shqiptarëve të vetëpunësuar me makinat e tyre të famshme të zeza të Londrës.

“Ama, këqyre, nuk jam vetëm unë, se ka edhe shumë shqiptarë, shokë të mi, që e bëjnë këtë punë. Edhe ata kanë kaluar nëpër të njëjtin proces të studimit për të marrë bexhin”, thotë Ramadani, në njërën prej kafeneve në një qendër tregtare me emër anglez në vendin ku dikur ndodhej Kombinati i Drurit në Ferizaj, shkruan Koha Ditore.

Hartën në kokë

Ramadani prej fundvitit 2012 deri në verën e 2015-s u shtrëngua të punonte vetëm dy ditë në javë, me qëllim që t’i mësonte emrat dhe lokacionet në një diametër prej rreth 19 kilometrash. Madje bleu një motoçikletë, me qëllim që t’ia lehtësonte vetes punën përgjatë rrugëve të stërngarkuara të kryeqendrës financiare të Evropës.

“Kur i sheh, i memorizon më mirë, sepse ish interesant se si po i ndante gjërat dhe se si po funksiononte truri”, thekson Ramadani. “Është studim i rrugëve të Londrës. Janë teste që udhët me i kalu patjetër për me mbërri në fazën për me marrë bexhin. Bexhi është faktikisht një sen që e fiton si diplomë, nuk është kurs, sepse është si diplomë që jepet prej shtetit. Studimi e ka emrin ‘Knowledge of London’”, apo testi i njohurive për Londrën.

“Dhe, realisht i bie se ky e njeh Londrën në gishta”, thotë vëllai i Gëzimit, Ardian Ramadani, i cili jeton në Belgjikë.

“Është një punë që anglezët e respektojnë shumë. Anglezët të respektojnë shumë, sepse e dinë se nuk është e lehtë me i mësu rreth tridhjetë mijë rrugë”, thotë Gëzim Ramadani.

Në shkrimin e gazetës britanike “The Sun”, se “pse testi i taksistëve për shoferët e taksive të zeza është aq i vështirë”, thuhet se “The Knowledge” është një seri testesh të cilat duhet t’i kalojnë para se të marrin licencën. Prej këtyre rrugëve, 320 njihen si rrugë boshte.

Kandidatët testohen me shkrim dhe me gojë.

“Ta zëmë, ai e merr hartën dhe të pyet se ku ndodhet kjo rrugë, me cilën rrugë, dhe ti duhesh me ditë me cilën rrugë lidhet e, a ka dalje, pa u largu prej asaj që njihet si ‘Run’, si bosht që lidhet me rrugë e lokacione të tjera, sepse ti nuk guxon me u shmang prej këtyre vijave – Runs - e me u kthy prapë. Prandaj edhe në 3 të natës me të thirrë, duhesh me i ditë krejt këto rrugë pa harta”.

“Studiuesit i memorizojnë gjithashtu edhe 20 lokacione dhe vende të rëndësishme të interesit publik, prej destinacioneve turistike deri te muzetë, parqet, kishat, teatrot dhe shkollat”, shkruan “The Sun”.

Procesi për ta përfunduar zgjat prej dy deri në katër vjet, dhe përshkruhet si “implantim i atlasit të Londrës në trurin tuaj”.

“Gëzimi e ka kryer me afat”, thotë Ardian Ramadani, teksa hedh shikimin nga vëllai përballë. Gëzimi skuqet pak. “Është edhe dhunti”, thotë Gëzim Ramadani.

“Testi më i vështirë në botë”

Por “The Sun” shkruan se sfidat e mëdha me të cilat përballen kandidatët kanë bërë që edhe televizioni “Channel 4” ta titullonte dokumentarin “The Knowledge: The World’s Toughest Taxi Test”. Në dokumentar është faktuar se kandidatët gjatë testimit monitorohen me kamera.

“Filmi shfaq edhe një larushi befasuese të karaktereve në faza të ndryshme të procesit, përfshirë një nënë të pamartuar, një emigrant kosovar dhe një shofer autobusi”, shkruan gazeta britanike.

Diskutimi për 320 vijat dhe 25 mijë rrugët ka dominuar edhe takimin e fundjavës ndërmjet Ramadanit dhe një emigranti tjetër ferizajas që kishte ardhur me dy anglezë për ta shikuar ndeshjen e Kosovës me Anglinë në Prishtinë.

“Edhe ata habiteshin, sepse kërkon studim të madh. Ka rrugë me emra të figurave të ndryshme të historisë angleze, ka edhe emra francezë e spanjollë, emra kishash që duhet t’i mbash mend”, thotë ai.

“Ama atje nuk ndërrojnë emrat e rrugëve si këtu”, thekson Ardian Ramadani me qeshje. “Jo, atje nuk ndërrojnë kurrë”, konfirmon Gëzim Ramadani.

Dhe rrugë me emra figurash të historisë së re britanike – sidomos asaj politike – ka në qendër të Ferizajt. Prej sheshit zgjatet rruga që mban emrin e Tony Blairit, kryeministër në kohën e bombardimeve të NATO-s më 1999. “Domethënë, unë menjëherë e lidhi rrugën me diçka që me mbajt mend edhe vizualisht”.

Shenjat e Britanisë së Madhe dhe mikpritja e kosovarëve i kanë habitur edhe miqtë e Ramadanit dhe qindra anglezë të tjerë që kaluan fundjavën në Kosovë.

Anglezi Dave Kidd ka shkruar në “The Sun” se në kohën kur Britania e Madhe është ndarë në dysh në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, “ka një popull në Ballkan që na do”. Ka thënë se udhëtimi i Anglisë në Prishtinë ishte si asnjë tjetër gjatë ndeshjeve si mysafire.

“Nuk kishte huliganizëm, nuk kishte vërshëllima ndaj himnit kombëtar ose kontroll të tepruar policor këtu”, ka shkruar Kidd. “Kosovarët janë përjetësisht mirënjohës ndaj Britanisë për rolin e Qeverisë së Tony Blairit me dërgimin e trupave të NATO-s në vendin e tyre të djegur nga lufta, duke shtrënguar serbët të largoheshin, në rrugëtimin drejt pavarësisë”.

Mahnitja e anglezëve

Shumëkush është habitur me reagimet falënderuese të anglezëve, të cilëve tifozët e Kosovës në stadium ua lartësuan flamurin dhe ua kënduan himnin kombëtar, por jo edhe Gëzim Ramadani, i cili e kishte përcjellë me të birin ndeshjen e parë në Southampton, kur Kosova ia doli t’ia shënonte tri gola – duke kaluar e para në epërsi në minutat e para të ndeshjes. Anglezët kërkuan të dhëna për Kosovën në Google gjatë javës së kaluar më shumë se në kohën kur shteti më i ri në Evropë e shpalli pavarësinë më 2008.

“Shumica e anglezëve dinë për Kosovën prej kohës së luftës, por kohëve të fundit, sidomos prej ndeshjes në Southampton, anglezët kanë respekt për Kosovën”, thekson Ramadani, i cili ishte shtrënguar më 1998 t’i linte në gjysmë studimet e drejtësisë dhe me bashkëshorten të migronin në Angli. Tani kanë tre fëmijë, të cilët vazhdojnë t’i mbajnë të lidhur me Kosovën. Me djalin ishte në stadium në ndeshjen e Kosovës në shtetin ishullor. Kosova humbi edhe atje.

“Anglezët janë befasuar shumë me futbollin e Kosovës. Ata janë habitur se si një vend kaq i vogël me ia dalë me shënu këtë sukses në kualifikimet për Evropian. Ata nuk kanë besuar se një kombëtare kaq e re me pasë kaq shumë sukses. Futbolli i ka dhënë Kosovës jehonë të madhe”.

“Edhe në Belgjikë”, thotë vëlla Ardiani.

“Nga cili vend jeni? – e kishte pyetur një turist amerikan Gëzim Ramadanin pas falënderimeve të përzemërta pasi ia kishte kthyer dy pasaportat dhe kuletën me katër mijë euro. I kishin rënë në taksinë e Ramadanit.

“Ishte jashtëzakonisht mirënjohës. Anglezët donin me shkru në gazeta se u pat ba e madhe në Londër”.

Gëzimi thotë se shqiptarët në Angli po mundohen të ruajnë lidhjen ndërmjet vete, pavarësisht se në Londrën prej 9 milionë banorësh jeta është shumë dinamike dhe se koha është jashtëzakonisht e kufizuar për aktivitete të lira. “Megjithatë, njëzet deri në tridhjetë shqiptarët taksistë mblidhem së paku dy herë në vit”, thotë ai.

Me njerëzit më të afërt takohet thuajse çdo fundjavë. Të afërmit e kishin ndihmuar Gëzim Ramadanin më 1998, kur kishte shkelur për herë të parë në Londër. Dhe prej ditës së parë kishte shprehur kureshtjen për të mësuar si duhet orientimin në metropolin britanik. Lidhjet i ka ruajtur edhe me shokët e shoqet e viteve nëntëdhjetë, kur ishte pjesë e ansamblit të valleve “Kastriotët” në Ferizaj.

“Prej ditës së parë që unë kam shkuar atje, senin e parë që kam ba ka qenë me u mësu me e lexu hartën. I kam thanë vëllait të dhëndrit, Xhevdetit, se po du me ma shpjegu orientimin. Ma kanë ble një hartë të vogël dhe kam mësu qysh me e lexu hartën”, thekson Ramadani, që tani ka të “hartuar” në mendje krejt rrugët e lokacionet më të rëndësishme të Londrës. “Edhe diqysh prej atëherë e kam parë se e kam si dhunti me i mbajt mend emrat e rrugëve”.