Arbëri

Ferati: Politikat e Serbisë i kanë kthyer shqiptarët e Luginës në komunitet në zhdukje

Rreth gjashtë mijë adresa janë pasivizuar nga Serbia, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Aktivisti Arben Ferati ka alarmuar se politikat e Serbisë i kanë kthyer shqiptarët në komunitet në zhdukje në Luginë dhe ka fajësuar ndërkombëtarët për mosreagim

Në Luginën e Preshevës është duke ndryshuar struktura etnike, në dëm të shqiptarëve. Banorë të kësaj pjese që ndodhet në jug të Serbisë, thonë se realiteti i ri po krijohet nëpërmjet largimit dhe pasivizimit të adresave që po e bën Beogradi. 

Ajet Latifi, me prejardhje nga Medvegja, thotë se është pikërisht pasivizimi i adresave shkak që ai tash e disa vjet të jetojë në Kosovë.

“Prej vitit 2007 na është bërë pasivizimi i adresave mua e familjes sime. Për shkak të kësaj, unë e familja ime nuk mund ta kalojmë kufirin për të shkuar në Medvegjë. Problem tjetër, se as kompensim nga Serbia që kam shërbyer për 16 vjet në detyrë me fakultet të Sarajevës, por ma kanë refuzuar pensionin. As pension jo, as një social jo, nuk na kanë lëshuar as pasaportë, kjo ka rënë që të vij e të jetoj në Kosovë”, ka thënë ai.

Kushtrim Kadriu, i cili përmes Lëvizjes Vatra avokon për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, thotë se pavarësisht përpjekjeve për ta ndaluar, pasivizimi i adresave nga Serbia po vazhdon. Në Kosovë, ai zhvillon aktivitet politik dhe akuzon Qeverinë Kurti se nuk e ka problematizuar çështjen në dialog.

“Serbia po vazhdon sa ma shumë ta shtojë presionin dhe po bën çdo ditë largimin e këtyre banorëve nga evidencat, duke i marrë pasaportat, duke i bërë pasaportat dhe letërnjoftimet e pavlefshme. Ne kemi bërë shumë përpjekje dhe kemi kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që kjo çështje të jetë çështje kryesore e diskutimit mes negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo gjithsesi ne nuk kemi parë ndonjë vullnet nga Qeveria jonë që të merret konkretisht me këtë çështje”, ka thënë Kadriu.

E përfaqësuesi i shqiptarëve në Medvegjë, Arben Ferati, ka bërë fajtorë edhe ndërkombëtarët për trajtimin që u bëhet nga Serbia. 

“Bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar. Është marrë me të drejtat apo privilegjet e pakicave në Kosovë, konkretisht me pakicën serbe. Ne jemi në zhdukje si komunitet dhe situata është alarmuese dhe kërkon mobilizim të gjithanshëm”, ka thënë ai.

Në Bashkimin Evropian nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse janë duke i trajtuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës, për pasivizimin e adresave.

Për këtë problem, shqiptarët kanë paralajmëruar protestë për datën 3 nëntor, para stacionit policor në Medvegjë. Muaj më parë kanë protestuar edhe në komunën e Preshevës dhe në atë të Bujanocit.
Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tash janë pasivizuar rreth 6 mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Serbi, kanë dalë rreth 62 mijë shqiptarë.