Arbëri

Fëmijët me diabet s’e ndiejnë “dorën” e shtetit

Prindër të fëmijëve që janë të sëmurë me diabet të tipit 1 janë ankuar për mungesë të mbështetjes institucionale për menaxhimin e kësaj sëmundjeje. Pajisjet, si sensorët e glukozës dhe pompat e insulinës, që janë thelbësore për trajtim, nuk sigurohen nga institucionet publike të shëndetësisë. Familjet e fëmijëve të sëmurë detyrohen t’i përballojnë vetë kostot, që shpesh janë të papërballueshme

Tash e tre vjet, një 13-vjeçare nga Fushë-Kosova mban ngjitur për trupi aparatin që monitoron vazhdimisht nivelin e sheqerit në gjak.

Diagnostikimi me diabet qysh në moshën 10-vjeçare ka bërë që ajo të ketë nevojë për matje të përditshme të glukozës e më pas edhe për marrjen e insulinës.

Pajisja me sensor ndihmon që kjo të bëhet pa shpime të shpeshta në gishtërinj, por pajisja duhet të ndërrohet çdo dy javë, pasi humb funksionin. Kostoja e sensorit është rreth 80 euro.

Nëna e saj, Lumnije Hasolli, thotë se mungesa e mbështetjes nga shteti e vështirëson menaxhimin e sëmundjes.

“Mungesat janë të mëdha, sepse fëmijët nuk kanë sensor dhe nuk kanë pompa. Puna e sensorit e lehtëson shumë, sepse vendoset çdo dy javë, është i kushtueshëm, por shteti për këta fëmijë kurrgjë nuk ka bërë kurrë e as nuk po bën. Tepër e nevojshme është për shtetin, por sa do të mundet të sigurojë nuk e di, sepse neve nuk na japin as shirita për ta matur sheqerin”, ka thënë ajo. “Vetëm insulinat i japin falas. Janë analizat ekstra, është ushqimi, është sensori”.

Përditshmëria për Hasollin dhe vajzën e saj ka ndryshuar shumë. Rritja e një fëmije me diabet, thotë se është shumë e vështirë në kushtet nëpër të cilat po kalon.

“Me një rrogë në Kosovë është shumë e vështirë me ia dalë me një fëmijë nëse e ka sëmundjen e diabetit, sepse janë shpenzimet e mëdha”, ka thënë Hasolli.

KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë për numrin e fëmijëve të prekur me diabet dhe për mungesën e përkrahjes që presin prindërit, por nuk ka marrë përgjigje.

Në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë vitit 2024 janë trajtuar 74 raste me diabet, prej tyre 41 raste të reja.

Pediatrja Elida Krasniqi ka folur për shkaqet e diabetit tipi 1, që është forma më e shpeshtë e kësaj sëmundjeje te fëmijët.

“Diabeti te fëmijët është diabet tip 1, që është diabet me mungesë të insulinës, mungesë totale të prodhimit të insulinës dhe është diabet i varur nga insulina. Faktorët edhe këtu janë multi, është sëmundje multifaktoriale, nuk është një shkak i veçantë, por hyjnë predispozita e fëmijës, mandej faktori virusal dhe faktorët e ambientit, që së bashku e bëjnë të vijë në konsideratë edhe autoimuniteti ose prodhimi i trupave të cilët e atakojnë pankreasin, pikërisht ato qeliza që janë përgjegjëse për prodhimin e insulinës dhe vjen deri te shfaqja e sëmundjes”, ka thënë pediatrja Krasniqi.

Sipas të dhënave të Klinikës së Pediatrisë, para një dekade diagnostikoheshin 12-13 raste te fëmijët në vit. E tash ky numër gati është katërfishuar.