Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka thënë se me veprimet dhe vendimet e Qeverisë nuk është tentuar asnjëherë që të krijohet kundërpozicion me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Derisa është deklaruar rreth paralajmërimit për hapjen e Urës së Ibrit, Fejza ka thënë se Qeveria është e përgjegjshme për obligimet që i ka në raport me zbatimin e ligjit dhe rendit kushtetues.
Ajo ka shtuar se miqësia me SHBA-në është jetike dhe nuk mund të thyhet.
“Unë besoj që Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosja është plotësisht e përgjegjshme për obligimet që i ka në raport me zbatimin e ligjit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Edhe rezultatet flasin po ashtu. Është shumë e rëndësishme miqësia jonë me SHBA-në, roli i SHBA-së për Kosovën është jetik, askush asnjëherë nuk e mohon një gjë të tillë. Në asnjë prej veprimeve dhe vendimeve të Qeverisë nuk është tentuar të krijohet asnjë kundërpozicion me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqësia me SHBA-në është e pathyeshme, nuk është diçka që mund të thyhet. Nuk mendoj që ka dikush në Republikë që në ndonjë mënyrë e konteston një gjë të tillë”, ka thënë Fejza të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Lidhur me qëndrimin e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje, Fejza ka thënë se nuk ka moskuptueshmëri nga ana e tyre, por mëdyshje lidhur me kohën kur po realizohet ky veprim.
“Nuk mund të them që është moskuptueshmëri, ndoshta është mëdyshje në lidhje me kohën kur po realizohet veprimi, mirëpo është e rëndësihsme që kemi vlerësim të institucioneve të sigurisë në lidhje me gjendjen e sigurisë. Nuk ka pasur asnjë tendencë në asnjë moment që në ndonjë mënyrë të cenohet ndonjë qytetar apo rendi apo të krijohen tensione, përkundrazi”, ka thënë ajo.