15 aktakuza për krime lufte janë ngritur nga institucionet e drejtësisë në Kosovë gjatë vitit të shkuar teksa që nga paslufta, për mbi 10 mijë viktimat civile janë dënuar vetëm 74 persona nga drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare. Të dhëna janë pjesë e një raporti të Fondit për të Drejtën Humanitare, në prezantimin e të cilit u kërkua më shumë efikasitet nga hetuesia e gjyqësia kosovare në trajtimin e rasteve
Për mbi 10 mijë viktimat civile të luftës së viteve 1998-1999, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të drejtësisë kanë dënuar gjithsej 74 persona, kanë treguar të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH).
Në ceremoninë e mbajtur të premten për prezantimin e raportit të përgatitur nga FDH-ja mbi punën e institucioneve vendore, është bërë e ditur se gjatë vitit 2023, Prokuroria Speciale ka ngritur 15 aktakuza për krime lufte të kryera kundër popullatës civile. Tetë prej tyre janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtareve të forcave serbe, ndërsa 7 pjesëtarë të tjerë të forcave serbe janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe që ndodhen në paraburgim.
“Që nga përfundimi i luftës në Kosovë institucionet gjyqësore, qoftë vendore apo ndërkombëtare, kanë dënuar vetëm 74 persona për krimet e luftës në Kosovë, në anën tjetër janë vrarë më shumë se 10.000 viktima civile”, ka thënë Amer Alija, analist ligjor në FDH.
Ndonëse bazuar në të dhënat e Fondit, institucionet kanë sjellë drejtësi për viktimat e luftës në një përqindje të ulët, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka thënë se i është kushtuar prioritet trajtimit të këtyre rasteve.
“Fakti që prej vitit të kaluar kanë filluar të ngrihen aktakuzat në mungesë është një prioritet për viktimat që të trajtohen rastet që kanë pritur me vite të tëra e që për gjykatën ka qenë sfidë, por falë bashkëpunimit janë caktuar seancat e para dhe shumë shpejt do të kemi edhe aktgjykimet e para në mungesë”, ka thënë ajo.
Fondi ka konstatuar se në mosefikasitetin e ngritjes së aktakuzave për krimet e luftës ka ndikuar edhe mungesa e bashkëpunimit dhe e shkëmbimit të informatave midis organeve të hetuesisë në Kosovë dhe atyre në Serbi.
Vigan Qorolli, zëvendësministër i Drejtësisë, ka theksuar se Kosova duhet që të avancojë në forcimin e sistemit të drejtësisë.
“Kosova duhet të angazhohet për dënimin e të gjithë atyre krimineleve të luftës që fatkeqësisht shumica lëvizin lirshëm ende nëpër Serbi dhe jo vetëm. Ministria Drejtësisë në këtë drejtim është angazhuar për adresimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit duke zhvilluar bazën ligjore e cila kishte munguar për shumë vjet. Njëkohësisht duke rritur kapacitetin e institucioneve për adresimin efikas të këtyre çështjeve me propozimin e qeverisë si rrjedhojë e kësaj është miratuar Ligji për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka deklaruar Qorrolli.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë e 500 persona, 10 mijë e 800 prej të cilëve janë shqiptarë.